FIER/ Sekuestrohen 276 hektarë tokë të përfituar me dokumente të falsifikuara, procedim për dy vepra penale

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka sekuestruar një pasuri të paluajtshme të llojit “kullotë” dhe “pyll”, me sipërfaqe 276.5 hektarë, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”,

NJOFTIMI I PROKURORISE:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier sekuestron një pasuri të paluajtshme llojit “kullotë” dhe “pyll” me sipërfaqe 276.5 ha, për veprat penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’, parashikuar nga nenet 287 dhe 186 të Kodit Penal.

Në kuadër të hetimit mbi procedimin penal nr. 1419, datë 24.10.2019, rezultoi se shtetasi T. Zh., me anë të përdorimit të dokumentit të falsifikuar “Vendimi nr. 249, datë 22.02.2008” etj., të ish-Komunës Libofshë, ka përfituar 276.5 ha tokë llojit ‘kullotë’ dhe “pyll”, në fshatin Hasturkas, Libofshë, Fier. Kjo pasuri është ndarë në disa pronarë me anë të kontratave të shitjes dhe dhurimit.

Nga hetimet rezultoi se prona është përfituar mbi bazën e kërkesës së shtetasit T. Zh., vendimit nr. 5, datë 26.09.1999, të ish-Komunës Libofshë, vërtetimit datë 10/10/1999, lëshuar në emër të Komisionit të Verifikimit të Pronësisë pranë ish-Komunës Libofshë, të cilat janë të falsifikuara, pasi rezulton se në këto akte nuk janë pasqyruar shkrimet dhe nënshkrimet e anëtarëve (provuar nga akti i ekspertimit).

Gjithashtu, rezulton se vendimi nr. 5, datë 26.09.1999, i ish-Komunës Libofshë është marrë më parë se të bëhej kërkesa, dhe data në të cilën është marrë korrespondon në kalendar me ditën e dielë, ditë pushimi, duke çuar në përfundimin se prona është produkt i veprës penale të falsifikimit të dokumenteve.

Në funksion të hetimeve, Prokuroria kërkoi sekuestrimin e pasurive me prejardhje nga dokumentet e falsifikuara:

  • Pasuri e paluajtshme llojit “kullotë” dhe “pyll” me sipërfaqe 276.5 ha, e ndodhur në zonën kadastrale 1940, fshati Hasturkas, Libofshë, Fier.

Kjo kërkesë është pranuar nga Gjykata dhe Prokuroria Fier ka nxjerrë urdhërat e ekzekutimit, të cilat janë dërguar për zbatim.

Prokuroria Fier mbetet plotësisht e angazhuar për të luftuar me prioritet veprën penale të pastrimit të produkteve të veprave penale dhe veprimtarisë kriminale, si dhe sekuestrimin/konfiskimin e produkteve të veprave penale.