Fier/ Dhunoi gruan dhe abuzoi seksualisht me vajzën e saj të mitur, kryefamiljari përfundon në gjyq
Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim një shtetas të identifikuar me inicialet A. R., i cili akuzohet për dhunë në familje, keqtrajtim të të miturit dhe ngacmim seksual ndaj vajzës së mitur të bashkëshortes së tij nga martesa e parë.
Sipas Prokurorisë, pas një hetimi të thelluar, është provuar se i pandehuri ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes B. R., si dhe ka keqtrajtuar dhe ngacmuar seksualisht vajzën e saj të mitur R. Ç.
Si nisi hetimi?
Hetimi ndaj të akuzuarit ka nisur pas një kërkese të bashkëshortes së tij për urdhër mbrojtjeje, e depozituar në Gjykatën e Shkallës së Parë Fier. Gjyqtari vlerësoi se faktet e paraqitura kishin elementë të veprës penale, duke e referuar çështjen në Prokurori.
Në vijim të hetimeve, në bashkëpunim me policinë gjyqësore, është provuar se dhuna ndaj bashkëshortes ka ndodhur në periudha të ndryshme, ndërsa ndaj së miturës, veprimet e të akuzuarit kanë avancuar deri në ngacmim seksual.
Akuzat ndaj të pandehurit
Pas përfundimit të hetimeve, Prokuroria ka ngritur ndaj shtetasit A. R. akuzat për:
• “Dhuna në familje” në dëm të bashkëshortes (neni 130/a/4 i Kodit Penal);
• “Ngacmimi seksual” në dëm të së miturës (neni 108/a/2);
• “Keqtrajtimi i të miturit” (neni 124/b/1).
Prokuroria ka deklaruar se do të vijojë punën për të ndëshkuar çdo rast të dhunës në familje dhe për të parandaluar ngjarje të rënda që cenojnë moralin dhe dinjitetin e qytetarëve.