Festimi me shqiponjë mahnit belgët, sulmuesi shqiptar shënon golin më të bukur të muajit

Vetëm pak muaj kanë mjaftuar që Arbnor Muja të kthehet në idhullin e tifozëve të Antwerp.

Sulmuesi me origjinë shqiptare ka shkëlqyer në radhët e skuadrës belge, duke kontribuar edhe me gola tepër të rëndësishëm.

Një prej tyre ishte në fitoren 1-0 ndaj Kortrijk, realizim që është zgjedhur edhe si goli më i bukur i muajit prill. Muja lëshoi një të djathtë të fortë nga jashtë zonës për të festuar më pas me simbolin e shqiponjës dykrenare.

Gol tepër i bukur nga ana e realizimit dhe jo më kot ka rënë në sytë e ekspertëve belg. Ish-futbollisti i Dritës në Superligën Kosovare zgjidhet për herë të parë si autori i golit të muajit, teksa në muajin dhjetor ishte më i miri në radhët e Antwerp.

Belgët e blenë kartonin e sulmuesit pas paraqitjeve pozitive me Dritën në arenën Europiane për shifrën e 400 mijë eurove. Aktualisht kartoni i tij vlerësohet në treg me 1.5 milionë euro, teksa më parë ka qënë pjesë e Skënderbeut në Superligën shqiptare.