Festat e fundvitit, Ministri Hoxha zbulon shpërblimet për Policinë e Shtetit

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka zbuluar shifrën që punonjës të policisë së shtetit do marrin si shpërblimm. Pas mbledhjes së sotme të qeverisë, ai u shpreh:

“Çdo punonjës i Policisë së Shtetit i rolit zbatues do të përfitojë një shpërblim prej 10 mijë lekësh. Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave për këtë vit. Qeveria ka vlerësuar e vlerëson rolin e Policisë së Shtetit për rritjen e sigurisë, nën vizionin SHQIPËRIA2030. Pjesë e këtij vizioni janë investimet e rëndësishme në teknologji, infrastrukturë dhe logjistikë.

Me vendimin e sotëm, punonjësit e Policisë së Shtetit përfshihen në kategorinë e punonjësve që marrin shpërblim për festat e fundvitit. Punonjësit e Policisë në bashkëpunim me autoritetet e tjera kanë shënuar rezultate të rëndësishme, duke garantuar më shumë siguri dhe një sezon turistik të qetë. Ky shpërblim është gjithashtu një nxitje për të vijuar punën me të njëjtin përkushtim, për përmirësimin më tej të standardeve të shërbimit ndaj qytetarëve.

Jam i bindur se me mbështetjen e Qeverisë dhe përkushtimin e efektivëve të saj, Policia e Shtetit do të vijojë të jetë një shembull i suksesshëm i forcës dhe besueshmërisë në shërbim të qytetarëve, sepse viti që vjen do të na përballë me sfida të tjera, siç janë organizimi i zgjedhjeve të lira e demokratike, ku Ministria e Brendshme dhe Policia kanë një rol kyç, por edhe sfidat e tjera kundër krimit të organizuar dhe paligjshmërisë në vend,” tha ministri Hoxha.