Festa mijëravjeçare e Amantias rikthehet në Ploç, tradita që lidh brezat dhe nderon pasurinë arkeologjike të zonës

Festa e Amantias, një traditë mijëravjeçare, rikthehet edhe këtë vit në fshatin Ploç të bashkisë Selenicë.
E njohur si një festë që bashkon brezat dhe ruan trashëgiminë kulturore të zonës, ajo shndërrohet çdo vit në një ngjarje të veçantë për komunitetin vendas dhe vizitorët.

Sipas kryeplakut të fshatit, Adriatik Brahimi, kjo është një traditë e hershme që përcillet brez pas brezi, duke ruajtur karakteristikat e saj origjinale. Festa përfshin aktivitete sportive, këngë polifonike, si dhe panaire ku prezantohen traditat dhe gatimet tipike të zonës.

Edhe kryetari i bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj, thekson rëndësinë e kësaj feste, e cila vit pas viti po merr përmasa më të mëdha falë pjesëmarrjes së banorëve, pushuesve dhe turistëve. Sipas tij, pushteti lokal do të vijojë të jetë një mbështetje e fortë për të sjellë më shumë investime në zonat rurale.

Ndërkohë, deputeti i zonës, Vullnet Sinaj, shprehet se përmes mbështetjes së qeverisë, festa po merr jetë të re dhe po forcohet si element i trashëgimisë kulturore. Ai thekson se në mandatin e katërt të qeverisjes do të ketë një vëmendje të veçantë për zonat me pasuri arkeologjike.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve dhe Trashëgimisë Kulturore në Vlorë, Orgest Feimi, shpreh se është shtuar interesi për Parkun Arkeologjik të Amantias, ku po vijojnë gërmimet që pritet të sjellin zbulime të tjera në vitet e ardhshme.

Banorët e zonës e vlerësojnë organizimin e festës, duke e cilësuar si një mundësi për të rikthyer lidhjet me bashkëfshatarët që jetojnë në qytete apo jashtë vendit.

Festa zhvillohet në Parkun Arkeologjik të Amantias, një nga vendet më të lashta në Shqipëri, nga i cili deri më tani është zbuluar vetëm 10% e territorit të tij.