Fero reagon pas publikimit të aktakuzës: Po ndërhyhet padrejtësisht në gjykim të mbyllur

Reperi i njohur Fero ka thyer heshtjen për herë të parë lidhur me publikimin e aktakuzës së datës 25 qershor në media. Përmes një deklarate të shpërndarë në Instagram dhe nënshkruar nga avokatja e tij mbrojtëse, Bedrie Berisha Rexhepi, artisti shpreh shqetësim për mënyrën si është trajtuar çështja në publik.

Në deklaratë, Fero thekson se publikimi i dokumenteve të një seance të mbyllur për publikun është një shkelje serioze e procedurës ligjore. Ai e cilëson këtë veprim si të papranueshëm, duke argumentuar se informacionet e publikuara kanë si synim të ndikojnë në opinionin publik.

“Publikimi i aktakuzës është i papranueshëm, pasi nuk ka marrë ende formë të prerë dhe synon të ndikojë opinionin publik në mënyrë të padrejtë”, thuhet në deklaratë.

Më tej, ai sqaron se edhe ish-bashkëshortja e tij, modelja Arbenita Ismajli, po përballëhet me një hetim penal nga Prokuroria Themelore në Gjilan. Fero shpreh se këto veprime janë pjesë e një strategjie për ta diskredituar publikisht, por shton se kjo nuk do ta ndalë në luftën e tij më të rëndësishme: të drejtën për të takuar vajzën e tij.