Fero martohet për herë të dytë, ndan lajmin në rrjetet sociale

Ish-këngëtari i njohur shqiptar, Feronit Shabani, i njohur si Fero, është martuar për herë të dytë. Edhe pse është distancuar prej kohësh nga jeta publike, Fero ka ndarë lajmin e veçantë me ndjekësit e tij në rrjetet sociale.

Në një postim të bërë sot, ai publikoi një foto nga ceremonia e martesës, duke mos zbuluar portretin e partneres së tij. Në imazhin e shpërndarë, Fero shkroi shkurtimisht: “Të sapo martuar”, duke konfirmuar kështu lidhjen e re martesore.

Kjo është martesa e dytë për artistin, pas ndarjes nga modelja Arbenita Ismajli, me të cilën ka një vajzë të quajtur Nina.

Pak ditë më parë, Fero kishte paralajmëruar se ishte në prag të një martese të re, pa dhënë detaje të mëtejshme, por kishte bërë të ditur se partnerja e tij i përket të njëjtit besim si ai. Ceremonia është mbajtur në mënyrë private, duke ruajtur diskrecionin mbi identitetin e bashkëshortes së re.