Një ekip shkencëtarësh nga Italia, Çekia, Rumania, Belgjika dhe SHBA ka zbuluar një rrjet të gjerë shpellash termale dhe sisteme me acid sulfurik në Shqipëri, të cilat përfaqësojnë disa prej fenomeneve më të rralla gjeologjike në botë. Këto zbulime janë bërë në katër zona kryesore: Kanioni i Holtasit, Kanioni i Langaricës, Kanioni Vromoner-Sarandoporo dhe Shpella e Zallës.
Kanioni Vromoner-Sarandoporo
Në kufirin mes Greqisë dhe Shqipërisë ndodhet Kanioni Vromoner, i njohur për burimet termale që kanë ekzistuar prej shekujsh. Për shkak të vendndodhjes së tij në një zonë kufitare të rreptë pas Luftës së Dytë Botërore, këto shpella i kanë shpëtuar vëmendjes së speleologëve deri në vitet e fundit.
Ekipi çek i Speleologjisë, në bashkëpunim me biologë nga vende të ndryshme, ka eksploruar shpella të tilla si Sulfur, Breshkë, Twenty dhe Atmos. Këto shpella përmbajnë ujëra të ngrohtë me sulfur dhe janë formuar përmes proceseve hipogjene. Shpella Atmos përmban një nga kupolat më të mëdha të njohura në shpellat hipogjene të Evropës, me një vëllim të vlerësuar prej 200,000 m³. Ajo përfshin gjithashtu një liqen termal nëntokësor, një nga më të mëdhenjtë e njohur në botë.
Gjithashtu, në këtë zonë janë identifikuar tetë lloje endemike të invertebrorëve, duke përforcuar rëndësinë biologjike të këtyre shpella-ve. Përveç shpellave në Kanionin Vromoner, janë hartuar edhe tre shpella aktive në zonën e Pixaria, pranë burimeve termale të Kavasila në Greqi.
Shpella e Zallës
Shpella e Zallës ndodhet në bazën e një masivi gëlqeror, pranë një fabrike çimentoje në rrethin e Durrësit, 20 km në veri të Tiranës. Kjo zonë është e njohur për burimet termale të quajtura “Uji Bardhë”, për shkak të ngjyrës së bardhë të ujit të shkaktuar nga shtresat mikrobiale të baktereve sulfurike.
Shpella u eksplorua për herë të parë në vitin 2018 nga GFS dhe më pas u rilevua nga GSM, duke arritur një gjatësi totale prej një kilometri. Brenda saj, uji i freskët qëndron mbi shtresat e ujërave më të dendura me sulfur. Shpella ka disa degë që përmbajnë kristale dhe shtresa të gjipsit, ndërsa prania e mikrobeve sulfurike e bën atë veçanërisht interesante për studime mikrobiologjike të ardhshme.
Rëndësia shkencore dhe ekologjike
Zbulimet e reja kanë rritur interesin për speleologjinë në Shqipëri dhe kanë tërhequr vëmendjen e autoriteteve lokale dhe kombëtare, sidomos pasi disa prej këtyre shpellave ndodhen brenda Parkut Kombëtar të Vjosës dhe Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Nga ana tjetër, Shpella e Zallës është e vendosur në një zonë industriale të dëmtuar nga aktivitetet e minierave dhe fabrikave të çimentos.
Studimet e deritanishme kanë treguar se këto shpella janë jashtëzakonisht të rëndësishme për kërkime gjeologjike dhe biologjike. Ekosistemet e tyre unike, të mbështetura në procese kimioautotrofike, strehojnë shumë specie të specializuara invertebroresh që janë të pambrojtura ndaj ndryshimeve të mjedisit. Shumë prej këtyre specieve janë ende të paidentifikuara shkencërisht.
Perspektiva për të ardhmen
Pavarësisht potencialit të madh, këto shpella nuk janë të përshtatshme për turizëm për shkak të kushteve ekstreme që mbizotërojnë në to. Studimet e ardhshme do të përqendrohen në eksplorimin e degëve të panjohura të shpellave dhe analizat mikrobiologjike të komuniteteve mikrobiale. Në të njëjtën kohë, kërkuesit po punojnë për të përfshirë shkencëtarë shqiptarë dhe institucione vendase, për të ngritur një platformë bashkëpunimi për mbrojtjen dhe studimin shkencor të këtyre fenomeneve natyrore të rralla.
Në përfundim, këto zbulime përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt njohjes dhe mbrojtjes së trashëgimisë natyrore të Shqipërisë, duke e vendosur vendin tonë në hartën ndërkombëtare të speleologjisë dhe kërkimeve shkencore mbi shpellat termale dhe ato me acid sulfurik.