Kryeministri Edi Rama ka replikuar me ndjekësit e tij në Facebook pas akuzave dhe kritikave që kanë shpërthyer lidhur me trajtimin e një 1-vjeçari nga Gaza në QSUT. Ky fëmijë u evakuua nga zona e luftës dhe po kurohet në Shqipëri, një vendim që disa komentues e konsideruan si “reklamë qeveritare”, duke akuzuar se qeveria nuk mbështet mjaftueshëm fëmijët shqiptarë që kanë nevojë për trajtim.
Në përgjigjen e tij, Rama i hodhi poshtë këto pretendime, duke renditur statistika për shërbimet mjekësore që ofrohen për fëmijët në vend dhe jashtë tij.
“Ku i keni parë ju këta fëmijët që ne i lëmë të vdesin? Në Shqipëri çdo vit kurohen në pavionët pediatrikë 46 mijë fëmijë, prej të cilëve 15 mijë vetëm në QSUT. Çdo vit operohen me sukses 2400 fëmijë në QSUT dhe 25 vogëlushë dërgohen për kurim jashtë vendit. Kjo është shumë më tepër sesa çojnë bashkërisht të gjitha shoqatat që merren me këtë punë,” deklaroi Rama.
Për sa i përket rastit të 1-vjeçarit nga Gaza, Rama tha se ndihma për këtë fëmijë erdhi pas kërkesës së partnerëve ndërkombëtarë dhe bazuar në vlerësimet e shërbimeve pediatrike të vendit.
“Dakord që e keni inat qeverinë, kjo duket, dhe nuk është faj. Por që inati t’ju çojë deri në pikën që të përhapni gënjeshtra, është e tepërt. Ata që përhapin këto llafe janë kapur pas gënjeshtrave si i mbyturi pas fijes së barit,” shtoi kryeministri.
Kritikat për trajtimin e 1-vjeçarit nga Gaza vijnë në një kohë kur debati publik për sistemin shëndetësor shqiptar dhe mbështetjen për të vegjlit është bërë gjithnjë e më i ashpër. Pavarësisht akuzave, Rama u shpreh i bindur në përkushtimin e qeverisë për të garantuar shërbim cilësor për fëmijët shqiptarë dhe për të ndihmuar edhe raste ndërkombëtare, kur është e nevojshme.