Fëmijët e Pajtime Fetahut të përfshirë “këmbë e kokë” në shërbim të grupit të Suel Çelës (FUNKSIONET)

E bija e gjyqtares Pajtime Fetah, Megi Fetah, sipas dosjes së SPAK, shërbente si urë komunikimi mes gjyqtares dhe kreut të grupit kriminal, Suel Çela allias Marjus Lulaj. Megi Fetah ka komunikime të vazhdueshme me shtetasin Klaus Matishi alias Klaus Çopja alias Kledjan Çopja, i përfshirë në shumë ngjarje kriminale, madje në shumicën e rasteve i drejtohet me fjalën “zemër”.

“Prapaskena” ka sigurusr foto të 33-vjeçares Megi Fetah duke kërcyer bashkë me mamanë e saj, gjyqtaren Pajtime Fetah, në lokalin Living të grupit kriminal Çopja, me në krye Suel Çelën.

Lokali, objekt shkrimesh edhe nga mediat britanike si produkt i trafikut të kokainës, ka si menaxher Renato Bodurrin, ushtar i Suel Çelës, makina e të cilit u përdor në sulmin fizik ndaj gazetarit Gjergj Zefi mbrëmjen e 10 marsit 2023, në rrugën “Bardhok Biba” në Tiranë, duke i shkaktuar dëmtime të rënda.

Bodurri, i cili vijon të jetë lirë pavarësisht provave për implikimin e tij në masakrimin e Gjergj Zefit, është nyja lidhëse mes Suel Çelës dhe gjyqtares Pajtime Fetah. Sipas dosjes së SPAK, Renato Bodurri ka në përdorim një telefon që ka të instaluar aplikacionin SkyEcc.

Këtë telefon Bodurri ia jep në përdorim Megi Fetah, sa herë që urdhërohet nga Suel Çela. Më pas, Megi Fetah, herë flet vetë dhe herë ia kalon telefonin mamasë së saj, Pajtime Fetah, për të marrë porosi nga grupi kriminal për mbylljen e dosjeve të grupit të Suel Çelës si dhe për rëndimin e pozitave të grupit rival, Çapja.

Edhe Pajtime Fetah i jepte porosi Suel Çelës për goditjen e personave që e bezdisnin si: gazetari Saimir Kodra, avokati Arben Llangozi, kancelari i gjykatës Ledio Sulkuqi si dhe kërcënimin e avokatit të Çapjave, Aldo Shkëmbi, i cili paralajmërohet nga banda se mund të ketë fatin e Ravik Gurrës, avokatit tjetër të Çapjave, i cili u ekzekutua në vitin 2019 në mes të Elbasanit.

Nga biseda mes tyre kuptohet se ka qenë Megi Fetah, ajo e cila i ka dhënë telefonin me aplikacionin e enkriptuar “Sky Ecc” mamasë së saj, Pajtime Fetah, që më pas kjo e fundit komunikon me “kokën” e grupit kriminal Suel Çelën.

Në një episod, Megi Fetah dhe Klaus Matishi alias Klaus Çopja alias Kledjan Çopja, të cilët i drejtohet njëri-tjetrin me fjalën “zemër”, bisedojnë rreth një dhurate që mund t’i bëjnë Pajtime Fetahut, nga Marjus Lulaj allias Suel Çela, pas lirimit të Kelmend Xhaferrit i njohur si Kel Çami. Megi i kërkon Klausit që të mos i bëjë dhuratë mamit, por t’i japë lekë “cash”.

Ndërsa në një komunikim tjetër, Klaus Matishi i tregon pedagoges Megi Fetah që pasi të mbyllin disa gjyqe, do të kërkojnë që të vendosin “Luanin” drejtor të spitalit të Elbasanit, pasi aty ka tendera dhe lekë, dhe sipas tij, do të kërkojnë dhe shefin e Antidrogës, që të kontrollojnë qytetin për të shitur “mall” vetëm ata dhe të bëjnë ndonjë lek çunat. Një episod interesant është dhe momenti kur Klaus Metishi i lëvdon Megi Fetah, mamanë e saj, Pajtime Fetah, duke e konsideruar si burrnesh.

Megi Fetah, pedagoge në Elbasan

Megi Fetah rezulton se është pedagoge pranë Universitetit të Elbasanit, Fakulteti Ekonomik. Në website-n e universitetit thuhet se ajo jep mësim në Fakultetin e Biznesit dhe i Drejtësisë.

Ky përbën një skandal, ku një person i cili pretendohet se arsimon studentët, mban komunikime të vazhdueshme me anëtarë të bandave kriminale, madje duke lënë të nënkuptohet se ka më shumë se një raport shoqëror.

Deri më tani nuk ka patur asnjë reagim nga Qeveria, si nga ish-ministrja e Arsimit, deputetja e Elbasanit, Evis Kushi, po ashtu edhe ajo aktuale Ogerta Manastirliu, për të ndërmarrë ndonjë akt për shkarkimin ose pezullimin e pedagoges Megi Fetah.

I biri i Pajtime Fetah inspektor tatimesh në Elbasan

Arbi Fetah është vëllai i Megi Fetah, pra i biri i ish gjyqtares Pajtime Fetah. Arbi Fetah përmendet përciptazi në komunikimet e Pajtime Fetah dhe Megi Fetah me grupin kriminal të Suel Çelës.

Ai është inspektor i Tatimeve në Elbasan. Konsiderohet si tmerri i bizneseve prej 7 vitesh. Besohet se ka mbështetjen e Suel Çelës.