Federata revolton Vuçiç, presidenti kundër ndeshjeve me Anglinë e Shqipërinë në Beograd: U dorëzuan përballë presionit!

Vendimi i Federatës Serbe të Futbollit, që ndeshjet kualifikuese me Anglinë dhe Shqipërinë të luhen në Beograd, nuk është pritur mirë nga Aleksandar Vučić.

Presidenti serb kritikoi zgjedhjen e FSS-së, pasi përballja e 9 shtatorit kundër anglezëve fillimisht ishte planifikuar të luhej në Leskovac.

“Federata e Futbollit dhe të tjerët nuk arrijnë të përballojnë as 5 minuta presion nga Ambasada Angleze apo palët e tjera, që kërkojnë zhvillimin e ndeshjes në Beograd. Pas dy ditëve presion, ata ndryshuan stadiumin, edhe pse ishte vendosur të luhej në Leskovac. Njerëzit e Leskovacit nuk kanë më pak vlerë se ata në Beograd. Madje mendoj që edhe pse do të vijë Anglia, në stadiumin “Marakana” do të ketë vetëm 300 tifozë, sepse Beogradi nuk do t’i dijë.” tha Vuçiç.

Vučić theksoi se nuk ishte përgjigjur të paktën dhjetë kërkesave që vinin nga ambasadat për ndryshimin e qytetit të ndeshjes.

Duke qenë se u spostua ndeshja me “Tre Luanët”, federata vendosi që edhe sfidën e 11 tetorit me Shqipërinë ta luajë në stadiumin “Rajko Mitić” të Crvena zvezdës, me kapacitet rreth 52 mijë vende. Në Leskovac ata luajtën kundër Andorrës dhe do të kthehen sërish në ndeshjen e nëntorit kundër Letonisë.