Federata e Opozitës/ Noka thirrje qytetarëve: Bashkohuni në mosbindjen civile

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Flamur Noka në fjalën e tij në takimin e Federatës së Opozitës iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohen në mosbindjen civile.

Noka nuk ka kursyer edhe akuzat ndaj Kryeministri Rama, ku theksoi se prej tre vitesh opozita është në një agresion të pandalshëm. Demokrati është shprehur se regjimi i Ramës është i bazuar në krim dhe se ka si synim kryesor bllokimin e zërit të opozitës duke burgosur ata të cilët denoncojnë krimet.

Lidhur me protestën e 7 Tetorit, Noka u shpreh se nuk është një protestë që po bëhet për një person, por po bëhet për Shqipërinë.

Shqipëria kurrë nuk u hodh në tregun e mafies ndërkombëtare për t’u shpërbërë dhe për t’u shkatërruar dhe rrënuar. Të paktën, Shqipëria u ruajt, ndërsa sot Edi Rama dhe regjimi i tij kërkon që ta asgjësojë Shqipërinë në çdo lloj aspekti.

Fjala e Flamur Nokës:

Ndaj ne jemi në këmbë dhe të vendosur që t’i bëjmë ballë dhe të luftojmë deri në fund për kauzën tonë. Kauza e çdo shqiptari sot është qeveria teknike për t’i dhënë zgjedhje të lira çdo shqiptari dhe që Shqipëria, më në fund pas 12 vitesh me zgjedhje të vjedhura dhe të dhunuara, pas 12 vitesh me narkoregjim, të kthehet në një shoqëri demokratike dhe pluraliste dhe në një shoqëri që zhvillohet dhe ecën drejt Europës. Rrugë tjetër për ne nuk ka. Rruga e vetme është të ngrihemi të gjithë kundër këtij regjimi dhe ne ftojmë sot nga kjo platformë e përbashkët të gjithë qytetarët e këtij vendi që të na bashkohen në mosbindje civile ditën e hënë në ora 18:00.