Faza e dytë e përzgjedhjes së Drejtorit të BKH-së! Kandidatët i nënshtrohen Testit të Aftësisë Fizike
Është zhvilluar sot Faza e Dytë e procesit të përzgjedhjes për postin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), e cila përfshinte Testin e Aftësisë Fizike (TAF), sipas parashikimeve të ligjit nr. 95/2016.
Testimi u mbajt në ambientet e Njësisë Speciale RENEA në Yzberisht, Tiranë, dhe nisi në orën 07:00 të mëngjesit. Shtatë kandidatët pjesëmarrës, të cilët ishin njoftuar më parë për detajet e testit, përfunduan me sukses të gjithë komponentët fizikë.
Testi synonte vlerësimin e forcës fizike dhe rezistencës, përmes këtyre elementeve:
-Numri maksimal i palosjeve në një minutë;
-Sprint 300 metra, me matje kohe;
-Numri maksimal i pompave, pa kufizim kohor;
-Vrap 2.4 km, i matur me kohë.
Gjatë zhvillimit të testit, një ekip mjekësor ishte në gatishmëri për të garantuar mbarëvajtjen e procesit dhe shëndetin e pjesëmarrësve. Gjithashtu, përfaqësues ndërkombëtarë ishin të pranishëm për të mbikëqyrur transparencën dhe standardet e zbatimit të testimit.
Pas kësaj faze, procesi do të vijojë me Fazën e Tretë, ku kandidatët do t’i nënshtrohen një eseje me shkrim si dhe testit të arsyetimit logjik, si pjesë e vlerësimit të përgjithshëm për përzgjedhjen e drejtuesit të ri të BKH-së.