Familjet e viktimave të mafias siçiliane kanë frikë nga rikthimi i mafiozëve të liruar

Frika e hakmarrjeve është rikthyer në Siçili.

Familjet e viktimave të vrarë nga mafia e kësaj zone kanë shprehur frikën se më shumë se 20 mafiozë të vjetër të liruar gjatë tre muajve të fundit mund të kthehen tani në lagjet që dikur kontrollonin.

Shumica e këtyre bosëve, disa prej të cilëve mbanin role drejtuese në familjet kryesore mafioze të kryeqytetit të Siçilisë, Palermos, nuk e kanë mohuar kurrë “Cosa Nostra”, mafian siciliane dhe kanë refuzuar gjithmonë të bashkëpunojnë me autoritetet gjyqësore. Ata janë liruar me leje ose për sjellje të mirë.

Salvatore Borsellino, vëllai i gjyqtarit legjendar antimafia Paolo Borsellino, i cili u vra nga organizata kriminale Cosa Nostra në vitin 1992, tha: “Lirimi nga burgu i mafiozëve që kanë refuzuar gjithmonë të bashkëpunojnë me drejtësinë është gjithmonë jashtëzakonisht i rrezikshëm. Është një goditje fatale për luftën kundër mafies”.

Nino Morana Agostino, nipi i oficerit të policisë Nino Agostino, i cili u qëllua për vdekje në mes të ditës në vitin 1989 së bashku me gruan e tij, Ida, e cila ishte në muajin e pestë shtatzënë, tha për gazetën la Repubblica: “Nuk mund të përballojmë të ulim rojet në luftën kundër mafies ose për ta nënvlerësuar atë. Mafiozët që ishin dënuar me burgim të përjetshëm dhe që tani po kthehen në liri me kusht, mbajnë ende sekrete të rënda për vrasjet e pazbardhura mafioze që nuk kanë pranuar t’i rrëfejnë. Kjo është arsyeja pse lirimi i tyre dërgon një sinjal të keq.”

Në muajin tetor, Raffaele Galatolo, 74 vjeç, një bos mafioz në lagjen Acquasanta të Palermos, pasi gjykata e shpalli “të paraburgosur model” për sjelljen e tij të mirë, është rikthyer në liri, me disa kushte. Galatolo dhe vëllai i tij Vincenzo, të cilët të dy u dënuan për vrasje, ishin drejtuesit e të ashtuquajturës “dhoma e vdekjes”, një dhomë ku viktimat u mbytën me urdhër të bosit të atëhershëm të mafies siciliane, Salvatore “Toto” Rinna. Pas vdekjes së Vincenzos, Raffaele mbeti trashëgimtari i vetëm i fronit në familjen mafioze të Acquasanta.

Një javë më parë, Giuseppe Corona, i cili ishte në paraburgim në pritje të gjyqit që nga viti 2018 në burgun e sigurisë maksimale të rezervuar për bosët e mafias, u lirua, pasi kishte kryer periudhën maksimale të lejuar përpara gjyqit të tij, i cili është vonuar vazhdimisht.

Në fillim të tetorit, gjykata e apelit të Palermos kishte liruar nëntë bosë nga Trapani për të njëjtën arsye, të lidhur me ish-bosin e mafies siciliane Matteo Messina Denaro, i arrestuar në janar 2023 pas 30 vitesh në arrati, i cili vdiq në shtator. të të njëjtit vit.

Frika e prokurorëve dhe familjeve të viktimave është kryesisht për faktin se shumë prej këtyre bosëve kanë refuzuar të bashkëpunojnë me autoritetet, duke sinjalizuar interesin e tyre për të vazhduar t’i përkasin mafies.