“Familja ka nevojë për ty”, Policia e Shtetit sensibilizon pas kapjes së dhjetra shoferëve me shpejtësi deri në 212 km/h

Policia e Shtetit ka intensifikuar kontrollet me radarë dhe dronë në akset më problematike të vendit, pas rritjes së aksidenteve të rënda me viktima dhe të plagosur. Gjatë ditëve të fundit, janë regjistruar dhjetra shoferë që udhëtonin me shpejtësi nga 150 deri në 212 km/h, duke u kapur nga radarët. Gjobat për këto shpejtësi variojnë nga 30,000 deri në 40,000 lekë.

Policia ka shpërndarë një mesazh sensibilizues, duke bërë thirrje për kujdes në rrugë: “Udhëtoni me jetën në mendje, që mbërritja në destinacion të jetë e sigurt! Familja ka nevojë për ty!” Pjesë e aksioneve janë edhe makinat inteligjente, radarët, dronët dhe alkool-testuesit, që kanë për qëllim parandalimin e aksidenteve dhe përmirësimin e sigurisë rrugore.

Në mesazhin e policisë, u bëhet thirrje shoferëve të shmangin shpejtësinë e tepërt, drejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit, dhe përdorimin e celularëve gjatë udhëtimit. Po ashtu, policia ka rritur kontrollet në zonat bregdetare dhe ato turistike, për të siguruar një fundjavë të sigurt për të gjithë.