“Familja e saj do të marrë masa…”/ Elton Ilirjani jep lajme për gjendjen e Parashqevi Simakut dhe paralajmëron dy infermieret shqiptare

Elton Ilirjani ka dhënë detaje të reja për gjendjen shëndetësore të këngëtares Parashqevi Simaku, pas shtrimit të saj në një spital psikiatrik. Përmes disa videove në InstaStory, Ilirjani ka treguar se ka takuar Simakun dhe ka konstatuar përmirësim në shëndetin e saj krahasuar me momentin e parë kur ajo u paraqit në spital.

“Sapo kam dalë nga një takim me Parashqevi Simakun dhe ajo është shumë më mirë se herët e tjera. Nuk është ende në gjendjen e saj më të mirë, por ka përmirësime të dukshme. Besoj se brenda disa javësh ajo do të mund të dalë nga spitali dhe t’i rikthehet jetës normale, duke u rehabilituar gradualisht,” tha Ilirjani.

Ilirjani ka zbuluar se gjatë qëndrimit të saj në spital, dy infermiere me origjinë shqiptare e kanë takuar këngëtaren, duke e bërë këtë pa lejen e familjarëve. Ai bëri thirrje që këto takime të mos përsëriten më.

“Parashqevia më tregoi se dy infermiere shqiptare e kanë vizituar me dashamirësi dhe dëshirë për ta ndihmuar. Por, pasi fola me familjarët e saj, ata janë të vendosur që këto takime nuk duhet të ndodhin pa lejen e tyre. Vizitat tashmë do të kontrollohen nga familja e saj e ngushtë, përfshirë djalin, vëllain, nipin dhe mbesën. Në rast të kundërt, do të ndërmerren masa ligjore,” deklaroi Ilirjani.

Pavarësisht situatës së ndërlikuar, Ilirjani përfundoi fjalën e tij me një mesazh optimist. “Parashqevia është në rrugë të mbarë drejt përmirësimit. Kam shumë besim se së shpejti ajo do të rikthehet në shtëpi dhe do të rehabilitohet plotësisht. Me kalimin e kohës, shpresoj të realizojmë bashkë projekte të jashtëzakonshme artistike,” tha ai.