Falja e gjobave, SPAK vendos mosfillimin e procedimit penal – Aulon Kalaja e ankimon në gjykatë

Kandidati për deputet i PD-ASHM në zgjedhjet parlamentare të 11 majit në qarkun e Durrësit, Aulon Kalaja, ka ankimuar vendimin e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion për mosfillimin e hetimeve lidhur me kallëzimin e tij për faljen e gjobave para zgjedhjeve.

Kalaja u paraqit në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion, ku ankimi i tij pritet të regjistrohet në GJKKO dhe do të caktohet gjyqtari që do shqyrtojë kërkesën.

Ai kishte depozituar kallëzim në SPAK më 27 maj, duke pretenduar se vendimi i qeverisë për faljen e gjobave kishte ndikim të drejtpërdrejtë në zgjedhje.

Vendimi i qeverisë parashikonte shfuqizimin e të gjitha masave administrative të paekzekutuara nga 1 janari 2015 deri më 30 nëntor 2024.