Falja e GJOBAVE/ Hyn në fuqi vendimi, ja si të përfitoni

Vendimi i qeverisë për faljen e gjobave ka hyrë në fuqi. Vendimi ka të bëjë kryesisht me gjobat e vendosura gjatë periudhës nga 1 janari 2015 deri më 30 nëntor 2024. Vendimi, i publikuar në Fletoren Zyrtare, përcakton procedurat që duhet të ndjekin institucionet për shfuqizimin e masave administrative të paekzekutuara, sipas ligjit nr. 127/2024, i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar.

Kujtojmë që vendimi u miratua nga Këshilli i Ministrave tre ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, ndërkohë që në nenin 3 të ligjit përcaktohej se duhej të hynte në fuqi brenda 10 ditëve nga miratimi i ligjit.

Qytetarët kanë në dispozicion 30 ditë për të kërkuar fshirjen e gjobave.
Sipas vendimit, të gjitha institucionet përkatëse — përfshirë Inspektoratet Vendore të Mbrojtjes së Territorit, Policinë Bashkiake, IKMT-në, AKU-në, Inspektoratin Shëndetësor dhe Policinë e Shtetit — kanë detyrimin që brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit të përgatisin dhe të dorëzojnë listat e subjekteve të ndëshkuara, të cilat përfitojnë nga falja.

Këto lista miratohen nga drejtuesit e institucioneve dhe i kalohen njësive të vetëqeverisjes vendore apo strukturave përgjegjëse për heqjen e detyrimeve nga regjistrat dhe sistemet zyrtare.Procesi i fshirjes nga listat e debitorëve duhet të përfundojë brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit, përveç rasteve të parashikuara në pikën 3 të kreut III, për të cilat afati është 80 ditë.

Shpenzimet administrative për realizimin e këtij procesi do të mbulohen nga vetë institucionet përkatëse.

Vendimi për faljen e gjobave erdhi si propozim i 35 deputetëve të Partisë Socialiste.