Emrat/ Falimentuan me dashje 7 fasoneri për të shmangur taksat, ekzekutohen masa sigurie për 4 persona
Janë caktuar masat e sigurisë për katër personat që çuan me dashje në falimentim e 7 fasonerive në Elbasan, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore.
Njëri nga të akuzuarit shtetas italian u kap në Rinas me tentativë për të ikur nga Shqipëria. Bëhet fjalë për shtetasin Giuseppe Lamacchia 60 vjeç, ndërsa 40-vjeçari Algert Kau, që administronte dy fasoneri, u kap nga shërbimet e komisariatit të policisë nr.4 në Tiranë.
Personi tjetër i prangosur është 27-vjeçarja Zyhra Kreci. Ndërsa në arrest shtëpie është lënë një 31-vjeçare, ekonomiste.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë bashkëpunuar për çuarjen në gjendje falimenti, 7 fasoneri, për të shmangur taksat dhe tatimet. Ndërkohë janë sekuestruar 7 subjektet dhe llogaritë bankare.
Sipas policisë vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë para përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Në kuadër të operacionit “Bankrupt”, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë, ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Elbasanit, dhënë më datë 02.06.2025, për:
-caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për:
shtetasin A. K., 40 vjeç, i cili u kap nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, Tiranë;
shtetasin italian G. L., 60 vjeç, i cili u kap në PKK Rinas, në dalje të Shqipërisë;
shtetasen Z. K., 27 vjeçe, të tre me detyrë administratorë subjektesh;
-caktimin e masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasen E. S., 31 vjeçe, me profesion ekonomiste, të katërt për veprat penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Falimentimi i provokuar”, “Mashtrimi”, “Shpërdorimi i kompetencave” dhe “Fshehja e të ardhurave”;
-vënien e sekuestros preventive mbi 7 subjekte (fasoneri) dhe 12 llogari bankare të tyre.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë bashkëpunuar për çuarjen në gjendje falimenti, 7 fasoneri, për të shmangur taksat dhe tatimet.
Vijojnë hetime për të identifikuar dhe nxjerrë para përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.