Rikthimi i hapësirave publike, fadroma hedh në tokë ndërtimi pa leje, Dredha: Çdo ndërtim do të trajtohet konform ligjit!
Inspektoriati Ndërtimor ka vijuar këtë të shtunë një aksion në qytetin e Vlorës, me fokus lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme. Aksioni është zhvilluar në lagjen “Kushtrimi”, ku është ndërhyrë në një ndërtim pa leje.
Qëllimi i këtij operacioni është rikthimi i hapësirave publike në funksion të qytetarëve dhe përmirësimi i standardeve urbane në qytet.
I pranishëm në terren ka qenë edhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, i cili ka deklaruar se kontrollet do të vijojnë edhe në ditët në vijim dhe se çdo ndërtim apo zënie pa leje do të trajtohet konform ligjit.
Gjatë aksionit nuk është hasur në kundërshtime nga banorët, ndërsa nga Inspektoriati është konfirmuar se janë evidentuar edhe objekte të tjera në qytet, të cilat pritet të shemben në ditët në vazhdim.