Fabrikat e veshjeve dhe të këpucëve kanë shkurtuar numrin e punonjësve, kriza nga rënia e euros si edhe kërkesës nga jashtë
Të gjendur në një krizë të shumëfishte nga rënia e euros dhe e kërkesës nga jashtë fabrikat e veshjeve dhe këpucëve kanë shkurtuar gati një të pestën e vendeve të punës vitin e kaluar.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT në statistikat afatshkurtra në tremujorin e fundit të vitit 2024 indeksi i punësimit në fabrikat e tekstilit shënoi rënie me mbi 19 pikë % krahasuar me të njëjtën periudhe të vitit 2023, ndërsa në fabrikat e prodhimit të këpucëve indeksi i punësimit në të njëjtën periudhë krahasimi ra me mbi 7 pikë %.
Të dhënat ekonomike mbi ndërmarrjet që raporton INSTAT tregojnë se në vitin 2023 numri mesatar i punonjësve me pagë ne fabrikat e veshjeve ishte 28,250, ndërsa në të këpucëve 20,080.
Burimet nga tregu pohojnë se tkurrja e punonjësve ka vijuar edhe në janar -shkurt 2025, pasi shumë fabrika mbyllen kontratat vjetore dhe gjithashtu i dhanë fund aktivitetit.
Reduktimi i punonjësve në fabrikat e veshjeve hyri në vitin e tretë më 2025. Rënia e vlerës së euros nga 122.4 lekë që ishte me 2021 në më pak se 100 lekë vitin e kaluar shkakori humbje të mëdha.
Të dhënat më të fundit tregojnë se në muajin shkurt të këtij viti ka një përmirësim të porosive për këpucë, por për veshjet situata është pak më e brishtë. Rikthimi i aktivitetit për fabrikat e këpucëve po bëhet i vështirë për shkak se tashmë punonjësit janë integruar në sektorë të tjerë dhe e kanë të vështirë të rikthehen në fabrika.
Punonjësit e fabrikave që humben punën më së shumti janë riintegruar në sektorin e shërbimeve sidomos në pastrim. Rritja e kërkesës nga hotelet dhe njësitë me Airbnb shtoi kërkesën për punonjës pastrimi.
Tregu i punës u ristrukturua duke u zhvendosur nga prodhimi drejt shërbimeve, por pothuajse të gjithë sektorët, përveç industrisë po vuajnë mungesën e punonjësve.
Indekset e punësimit vitin kaluar kanë pësuar rritjen të fortë në programin kompjuterik, agjencitë të udhëtimit, hotele, informacion dhe komunikimi etj./Monitor