“EXTRADITION APPROVED”, fundi i një ëndrre me “parajsë fiskale” dhe marrëveshja policore që la pa fjalë ndërkombëtarët! Pse Dubai nuk është më strehë e krimit…
Nga Aida TOPALLI
Prej të paktën një dekade, teksa në vendin tonë, në vende të Bashkimit Europian dhe të Amerikës Latine, kishin krijuar konflikte me ligjin, ishin dënuar në mungesë dhe ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, dhjetëra bosë të krimit të organizuar, trafikut të lëndëve narkotike dhe qindra anëtarë të këtyre bandave, gjetën një strehë, me gjasë, përherë e sigurtë. Dubai, një nga 7 Emiratet e Bashkuara, i ndarë në funksionim e ndërtim nga vendet e tjera arabe, një parajsë fiskale godinash qiellgërvishtëse, u kthye në vendin e preferuar të këtyre njerëzve të padëshiruar për pothuajse mbarë botën.
I panjohur më parë për Shqipërinë dhe e anasjellta, në 5 vjeçarin e fundit, ky vend, u kthye në destinacionin më të përfolur në mediat tona dhe ato ndërkombëtare. Jo për ndërtimin, jo për turizmin, porse, si vendi pritës i çdo personi të prezumuar apo të shpallur kriminel me vendime të formave të prera, nga shumë shtete. Dhe kështu, nga një shtet ku mund të investoje, imazhi ju shndërrua në një shtet kriminal, duke u bërë jo fort i respektuar në arenën politike globale.
Herë pas here, vendet kërkonin kthimin e atyre që strehoheshin atje, duke dërguar në rrugë institucionale të gjitha dokumentat përkatëse, për t’i dëshmuar ligjërisht se shumë nga rezidentët e Dubait, nuk ishin asgjë më shumë sesa të implikuar në krime të rënda kundër jetës së personit, dhe në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Për vite me radhë, Dubai nuk u përgjigj. Duke mos lidhur asnjë marrëveshje ekstradimi me asnjë vend të botës. Vetëm në dy raste, se fundmi, deportoi dy personazhe, mes tyre edhe shqiptari Bruno Çobo. Kohë më pas, Dubai deportoi edhe dy personazhe të tjerë të krimit të organizuar në vend, Plaurent Dervishaj dhe Juljan Meçe. Shqipëria u kthye kështu në vendin e parë që solli 3 personazhe nga një shtet që deri në atë moment, nuk kishte pranuar asnjë lloj lobimi.
Dhe pyetja që u ngrit, ishte kjo:
A ishte deportimi i Plaurent Dervishajt tregues i forcimit të marrëdhënieve, apo Dervishaj u kthye në problem për shtetin atje, dhe ata përdorën dokumentacionin e dërguar nga autoritetet shqiptare, dhe i dhanë menjëherë “pullën e kuqe”?
Që nga gushti 2024, ditë në të cilën Dervishaj e Meçaj u dorëzuan te shqiptarët, gjithçka u mbulua nga heshtja. Shumë personazhe të tjerë arrestoheshin atje, por pasi qëndronin 60 ditë, liroheshin përsëri. Një histori që përsëritej herë pas here. Madje, disa prej anëtarëve të botës së krimit, arritën të shpëtoninnë shumë raste. Njëri prej tyre ishte edhe Florenc Çapja, i cili, edhe pse u arrestua në vitin 2021, për 4 vite të tjera qëndroi në këtë shtet, madje thuajse u bind që ekstradimi nuk kishte për të ndodhur kurrë. Deri sa në 24 prill 2025, një email do të mbërrinte në zyrat e ITERPOL-it Shqiptar:
Extradition approved!
Pra Florenc Çapja, u bë i pari anëtar i krimit të organizuar shqiptar që u ekstradua në formë të rregullt. Duke lënë këtu të nënkuptohet se strehës së Dubait për ta i ka ardhur fundi.
Por çfarë ndodhi dhe pse Florenc Çapja tha në sallën e gjyqit se erdha vetë:
Pse e keni marrë dosjen nga Prokuroria e Elbasanit dhe nuk keni bërë hetime? Dosja ka vetëm deklarimet e Ervis Bardhit. Pse thoni “u ekstradua”. Nuk jam ekstraduar. Kam qëndruar 3 orë në zonë neutrale në Stamboll, po të doja largohesha”, është shprehur Çapja
Kjo deklaratë ngriti një debat të madh publik por edhe institucional. A kishte gënjyer policia shqiptare në deklaratën për shtyp, shpërndarë në grupin e gazetarëve më datë 2 maj 2025? Në fakt jo! Replikë, vazhdimisht është interesuar sa ju takon procedurave të vijimit të sjelljes së personazhevë që strehohen në Dubai me qëllim fshehjen dhe mospërballjen me ligjin.
Por si u arrit kjo marrëdhënie që la pa fjalë institucionet dhe ndërkombëtarët?
Një vit më parë, si asnjëherë tjetër, bëri shumë përshtypje Konferenca e 51-ë e INTERPOL zhvilluar në Tiranë. Dhe presidenti i Agjensisë më të madhe ndërkombëtare kundër Krimit të Organizuar, Gjeneral Major Ahmed Naser Al-Raisi, me origjinë nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Atëkohë, Al-Raisi zhvilloi një takim me drejtuesin e atëhershëm të bluve, Muhamet Rrumbullaku e ish-ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, ku dha edhe garancinë për forcim të marrëdhënieve të INTERPOL. Mesa duket kjo ishte edhe shkëndija e parë e bashkëpunimit, që vetëm dy muaj më pas u pasua me deportimin e Plaurent Dervishajt.
Pse për disa deportim, për disa ekstradim, e për disa të tjerë lirim?
Shteti shqiptar, në rrugë zyrtare, me kërkesë të SPAK po çdo prokurorie tjetër, bën shpalljen në kërkim ndërkombëtar të personave që ka nën hetim, kanë një masë sigurie apo kanë një vendim të formës së prerë, në momentin që këta të fundit nuk arrihen të gjenden brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, apo kudo ku janë rezidentë.
Procedurë kjo që ndiqet nga INTERPOL. Pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar, kjo agjensi ka për detyrë të bëjë edhe gjurmimet dhe hetimet e nevojshme për të rënë në gjurmët e këtyre personave. Dhe në momentin që mbledh të dhëna se mund të ndodhen një shtet të caktuar, lidhet me zyrën e INTERPOL të shtetit përkatës. Duke iu dërguar shenjat e gishtërinjve ose retinën e syrit. Dhe edhe nëse ka tentative që një personazh të hyjë me identitet tjetër, shenjat e gishtërinjve janë ato që nuk gënjejnë kurrë. Krahas lokalizimit, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Jashtme, dërgohen të gjitha të dhënat e përftuara nga SPAK, dhe ju nisen homologëve të vendit përkatës. Në këtë rast, Emirateve të Bashkuara. Mirëpo, Dubai ka një rregull, nëse dokumentacioni nuk i shkon brenda afatit 60 ditor që e ka të arrestuar personin, e liron. Dhe kur dokumentat shkojnë përsëri, arrestohet sërish, dhe pasi shqyrtohen të dhënat, miratohet ekstradim apo deportim. Pra janë thjesht afatet kohore ato që zgjasin qëndrimin.
Pasi:
Referuar Kushtetutës së INTERPOL, ku Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara bëjnë pjesë, në nenin 3 të saj, thuhet se në raste kur nuk k marrëveshje diplomatike ekstradimi mes dy shteteve, egziston një mënyrë policore, që është ajo e marrëdhënies Interpol me Interpol. Pikërisht kjo pikë e kësaj kushtetute, e lexuar si duhet dhe me lobime të shumta, bëri që sot të mos flasim më për deportime apo dëbime, por për esktradim të mirëfilltë, që nuk k nevojë për nënshkrime të tjera. Dhe kështu, mesa duket, asnjë vend nuk do të jetë më strehë e sigurtë për asnjë anëtar të botës së krimit të organizuar, përveçse shpëtim i përkohshëm
*Ky artikull është prodhim origjinal i REPLIKË që vjen pas një studimi të gjatë të marrëveshjeve ndërkombëtare, ligjeve të INTERPOL dhe hulumtimit e interesimit pranë institucioneve përkatëse. Çdo dublim apo tjetërsim konsiderohet shkelje.*