Evropa po përgatitet të zëvendësojë SHBA-në në NATO, çfarë po planifikohet?

Disa nga fuqitë më të mëdha ushtarake evropiane po hartojnë një plan për të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e kontinentit, duke përfshirë një tranzicion të menaxhuar nga pesë deri në dhjetë vitet e ardhshme. Këto bisedime synojnë të shmangin kaosin e një tërheqjeje të njëanshme të SHBA-së nga NATO-ja, një mundësi që është shtuar nga kërcënimet e presidentit amerikan, Donald Trump, për të dobësuar ose braktisur aleancën.

Sipas “Financial Times”, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe vendet nordike po diskutojnë në mënyrë joformale, por të strukturuar, për të përgatitur një plan që do të lehtësonte barrën financiare dhe ushtarake të SHBA-së dhe do t’i paraqitej Uashingtonit para samitit vjetor të NATO-s në Hagë.

Ky propozim përfshin rritjen e shpenzimeve evropiane për mbrojtjen dhe ndërtimin e kapaciteteve ushtarake për të bindur Trumpin që të pranojë një transferim gradual, duke i mundësuar SHBA-së të përqendrohet më shumë në Azi. Megjithatë, zyrtarët vlerësojnë se për ta arritur këtë qëllim, do të duheshin pesë deri në dhjetë vjet investime të mëdha, pasi SHBA mbetet vendimtare për sigurinë evropiane, duke përfshirë mbrojtjen bërthamore dhe praninë e saj ushtarake me 80 mijë trupa të stacionuar në kontinent.

Në këtë kuadër, vendet si Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe kanë filluar të rrisin shpenzimet për mbrojtje, ndërsa Bashkimi Evropian po inkurajon anëtarët e tij të investojnë më shumë në mbrojtje. Ndërkohë, NATO thekson se do të ishte më e lehtë të ruhej aleanca me një rol të zvogëluar të SHBA-së sesa të krijohej një strukturë e re mbrojtjeje për Evropën.