Evropa dhe pasojat e bisedimeve SHBA-Rusi për Ukrainën

Ndërsa lufta e Rusisë në Ukrainë po hyn në vitin e saj të katërt, udhëheqësit evropianë paralajmërojnë se rezultati i bisedimeve që po mbahen mes Moskës dhe Uashingtonit do të ketë pasoja të mëdha për të gjithë Evropën. Udhëheqësit e kontinentit, së bashku me vetë Ukrainën, i frikësohen përjashtimit nga vendimmarrja për fatin e tyre.

Tanket e Rusisë kaluan kufirin ukrainas tre vite më parë, duke filluar konfliktin më të rëndë në territorin evropian që nga Lufta e Dytë Botërore. Megjithë të ftohtin e acartë në vijën e frontit, luftimet vazhdojnë ndërsa forcat ruse përparojnë. Ben Barry është ekspert për luftimet tokësore me Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike.

“Çdo ditë fronti ukrainas zmbrapset me nga një kilometër. Mendimi im është se kjo mund të vazhdojë gjatë gjithë këtij viti”, thotë Barry.

Por pas kuintave, forcat gjeopolitike që ndikojnë tek konflikti duket se po ndryshojnë me shpejtësi. Rusia dhe Shtetet e Bashkuara filluan bisedimet e paqes këtë javë në Arabinë Saudite. Ukraina dhe Evropa nuk u ftuan të merrnin pjesë.

“Do të ketë alarmim shumë domethënës në kryeqytetet evropiane për atë që mund të jetë diskutuar në lidhje me sigurinë e kontinentit të tyre, të gjithë rajonit të tyre. Një ndër rezultatet e mundshme jo të mira mund të jetë kur kryeqytetet evropiane të kuptojnë se amerikanët u kanë lënë detyrën, pa i pyetur, të një lloj misioni paqeruajtës në Ukrainë, ose diçkaje të ngjashme”, thotë David Blagden, profesor për sigurinë ndërkombëtare në Universitetin e Exeterit.

Britania dhe Franca kanë thënë tashmë se do të ishin të gatshme të kontribuonin për një forcë paqeruajtëse në Ukrainë. Mendohet se do të nevojiten të paktën 100 mijë forca dhe ka shqetësim të thellë për rreziqet e mundshme.

“Shtetet e Bashkuara duket sikur kanë hequr Nenin 5 të Traktatit të NATO-s për sa i përket forcave që mund të dislokohen në Ukrainë. Kjo do të thotë se ato nuk do të kishin mbrojtje, pra bie efekti parandalues. Pra është shumë e mundshme që Rusia të shkelë kushtet e armëpushimit apo marrëveshjes së paqes që mund të arrihet. Kjo në vazhdim shtron pikëpyetjen se çfarë do të bëjnë evropianët si kundërpërgjigje?”, thotë analistja Armida van Rij, nga organizata “Chatham House”.

Bashkimi Evropian thotë se i ka dhënë Ukrainës rreth 145 miliardë dollarë ndihma ushtarake, financiare, humanitare dhe për refugjatët gjatë tre viteve të fundit – mbi gjysma e ndihmës së përgjithshme për Kievin.

Sekretari amerikan i mbrojtjes ka thënë se siguria evropiane nuk do të jetë më një përparësi dhe Uashingtoni u ka kërkuar aleatëve në NATO të rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtjen.

“Një çështje kryesore është se nga do të vijnë paratë. Komisioni Evropian duket i hapur për të lejuar një lloj fleksibiliteti për rregullat fiskale. Por, e gjitha kjo do të dojë kohë; pra, do të jetë vërtet e vështirë”, thotë zonja van Rij.

Vendime të vështira, me pasoja të mëdha për Evropën, thotë sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey.

“Vendimet që marrim tani, gjatë javëve në vazhdim, do të përkufizojnë jo vetëm rezultatin e konfliktit në Ukrainë, por edhe sigurinë e botës tonë gjatë gjeneratës së ardhshme”, thotë zoti Healey.

Shumë në rajon frikësohen se këto vendime po merren pa praninë e Evropës. / VOA