Një fëmijë 1-vjeçar nga Gaza është evakuuar mbrëmjen e kaluar për të marrë kujdes shëndetësor të nevojshëm në Shqipëri, njofton zyra e OBSH në Tiranë. Fëmija aktualisht po merr trajtim në Spitalin Universitar “Nënë Tereza” në Tiranë, ndërsa familja e tij – babai, vëllai dhe motra – janë akomoduar në qendrën e refugjatëve në Babrru.
Në njoftim, OBSH ka falenderuar Kryeministrin Edi Rama dhe Qeverinë e Shqipërisë për përpjekjet humanitare dhe mbështetje për realizimin e evakuimit. Po ashtu, vlerësohen kontributet e Albana Koçiut, Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Skënder Bratajt dhe autoriteteve të tjera të përfshira në këtë proces.
OBSH thekson angazhimin e Shqipërisë për të mbështetur ata që janë në nevojë, duke e cilësuar këtë si një shembull të rëndësishëm solidariteti. Sipas OBSH, ende shumë pacientë nga Gaza kërkojnë kujdes urgjent mjekësor, dhe përpjekjet e koordinuara ndërkombëtare janë thelbësore për përballimin e nevojave të tyre.