Evakuim urgjent në aeroportin e Majorkës pas alarmit për zjarr, 18 pasagjerë të plagosur

Një situatë paniku është regjistruar mbrëmjen e vonë të 4 korrikut në aeroportin e Palmës në Majorka të Spanjës, ku një avion i kompanisë Ryanair u evakuua urgjentisht pas një alarmi për zjarr. Incidenti ndodhi në fluturimin FR3446, që ishte planifikuar të nisej në orën 22:50 me destinacion Mançesterin.

Sipas autoriteteve dhe medias së huaj, gjatë përgatitjes për ngritje, në bord u aktivizua një alarm që sinjalizonte zjarr, çka shkaktoi evakuimin e menjëhershëm të pasagjerëve. Pas verifikimeve të mëvonshme, u konstatua se alarmi kishte qenë fals.

Në pamjet që u publikuan në rrjetet sociale, shihen dhjetëra pasagjerë që largohen në panik nga avioni, disa duke kërcyer nga krahu i majtë i avionit, i cili ndodhej rreth tre metra mbi tokë. Disa prej tyre u lënduan gjatë kërcimit, pasi vetëm njëra nga rrëshqitëset e shpëtimit ishte në funksion, konkretisht ajo në derën e përparme të majtë, ndërkohë që rrëshqitëset e tjera nuk u aktivizuan për arsye ende të paqarta.

Sipas autoriteteve shëndetësore, nga gjithsej 18 persona të plagosur, gjashtë u dërguan në spital me lëndime të lehta, kryesisht dëmtime në kyçin e këmbës. Ekuipazhi kërkoi ndihmë mjekësore menjëherë pas zbarkimit.

Në një deklaratë zyrtare, Ryanair sqaroi:

“Një fluturim nga Palma për në Mançester ndërpreu ngritjen për shkak të ndezjes gabimisht të një drite alarmi për zjarr. Pasagjerët u evakuuan duke përdorur rrëshqitësen fryrëse dhe u rikthyen në terminal. Më tej, për të minimizuar shqetësimet, ne siguruam një avion zëvendësues që u nis nga Palma në orën 07:05 të mëngjesit të së shtunës. Kërkojmë ndjesë të sinqerta për çdo shqetësim të shkaktuar.”