Eva Buzo përfundon me sukses sfidën, përshkon me not brigjet detare nga Italia në Shqipëri! 92 km për 35 orë e 17 minuta

Eva Buzo ka përfunduar udhëtimin e saj prej 35 oresh e 17 min dhe 92 km nga brigjet e Leces, ( San Focca) deri në Gadishullin e Karaburunit, ku dhe ka prekur tokën Shqiptare në një nga gjiret e Karaburunit, në afërsi të kepit të Gjuzës.

Distanca e Kanalit të Otrantos është pak më shumë se 90 kilometra. Buzo, që jeton në Australi, nuk ia doli në qershor të vitit të kaluar, duke ndërprerë notimin pas 70 kilometrave për shkak të djegies së kandilave të detit, dhe kushteve të vështira atmosferike. Ajo e nisi notimin në orën 18:00 të së shtunës. Në këtë sfidë ndryshe nga e para, Eva Buzo është shoqëruar nga roje bregdetare, por edhe dy mjete te tjera lundruese.

Një udhëtim i vështirë për avokaten me origjinë shqiptare pasi vitin e kaluar ndërpreu sfidën në mes për shkak të komplikacioneve, sot e përfundoi rrugëtimin e saj me sukses, duke treguar një forcë fizike dhe psikologjike.

Ajo ka ndaluar shumë pak duke pirë ujë dhe udhëtimi ka qenë konstant. Nuk ka pasur asnjë problem gjatë udhëtimit prej 35 orësh. Në momentin e mbërritjes Eva nuk është në gjendje të flasë për shkak të kalcifikimit të gojës nga kripa. Ndërkohë raportohet se gjendja e saj është shumë e mirë.