Eurovizioni rikthen Celine Dion në skenë? Spekulime për një surprizë pas 37 vitesh nga triumfi për Zvicrën
Kanë qarkulluar informacione se Celine Dion mund të rikthehet sonte në skenën e Eurovision, 37 vite pasi ngriti trofeun për Zvicrën me këngën ikonike “Ne Partez Pas Sans Moi” në vitin 1988.
Raportime në internet kanë sugjeruar se avioni privat i këngëtares ka ateruar në Bazel dje, por deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për praninë e saj në finale.
BBC shkruan se burime të brendshme të konkursit nuk kanë qenë në dijeni për ndonjë pjesëmarrje të saj, edhe gjatë provave të fundit. Megjithatë, prezantueset kanë transmetuar një videomesazh nga Celine Dion, ku ajo u uron fat konkurrentëve dhe kërkon falje që nuk mund të jetë e pranishme në Bazel.
Kjo video është luajtur edhe gjatë gjysmëfinales së të martës, duke ngritur dyshime se organizatorët mund të kenë planifikuar një surprizë për mbrëmjen e sotme.