Eurovision 2025, publikohet procedura e votimit për Finalen e Madhe, ja si zgjidhet barazimi mes këngëve

Sonte në St. Jakobshalle të Bazelit në Zvicër, mbahet Finalja e Madhe e Festivalit të 69-të të Këngës në Eurovision, ku do të interpretohen 26 këngë për të shpallur fituesin e edicionit 2025.

Shfaqja nis në orën 21:00 dhe do të prezantohet nga Hazel Brugger, Michelle Hunziker dhe Sandra Studer. Renditja e këngëve është përcaktuar nga Korporata Zvicerane e Transmetimeve (SRG SSR), me këngën shqiptare “Zjerm” të grupit Shkodra Elektronik që do të ngjitet në skenë e fundit, si e 26-ta.

Sipas rregullave të publikuara nga organizatorët, çdo vend pjesëmarrës ka dy grupe pikësh për të dhënë: një nga juria dhe një nga televotimi, me shkallë nga 1 deri në 12 pikë (1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 10 dhe 12 pikë). Votimi online nga vendet që nuk marrin pjesë në Festival do të ketë të njëjtën peshë si një vend pjesëmarrës.

Në rast të një barazimi mes dy këngëve, do të përdoret një formulë që kombinon rezultatet e televotimit dhe jurisë për të përcaktuar fituesin, bazuar në numrin më të madh të vendeve që kanë dhënë pikë për secilën këngë.