Europol nis operacion ndërkombëtar kundër rekrutimit të fëmijëve nga bandat kriminale! Këshilla të rëndësishme për prindërit

Europol ka nisur një operacion të ri ndërkombëtar për të luftuar rekrutimin e fëmijëve nga bandat kriminale, të cilat i përdorin ata për të kryer krime të dhunshme dhe aktivitete të paligjshme. Operacioni, i quajtur “OTF GRIMM”, po zhvillohet në bashkëpunim me disa shtete evropiane, mes tyre Suedia (si vend udhëheqës), Belgjika, Danimarka, Finlanda, Franca, Holanda dhe Norvegjia.

Sipas Europol, bandat përdorin aplikacione mesazhesh të enkriptuara dhe rrjete sociale për të joshur të miturit, duke u premtuar para dhe një “stil jete” joshës. Pas rekrutimit, fëmijët shpesh përdoren për shpërndarje droge, shantazhe, madje edhe për vrasje me pagesë, me qëllim që anëtarët e vjetër të bandave të shmangin ndëshkimin penal.

“Qëllimi nuk është arrestimi i fëmijëve, por mbrojtja e tyre përpara se krimi i organizuar t’i kapë,” thekson Europol në paralajmërimin e saj.

Në këtë kuadër, Europol ka dhënë disa këshilla të drejtpërdrejta për prindërit, për të ndihmuar në identifikimin e shenjave që mund të tregojnë përfshirjen e fëmijëve në aktivitete të paligjshme:

Shenjat paralajmëruese për prindërit:

  • Përdorimi i aplikacioneve të koduara: Pyesni pse fëmija po i përdor dhe çfarë ka për të fshehur.
  • Ndryshime në sjellje dhe vlera: Tregojnë se mund të jenë nën ndikimin e dikujt.
  • Gënjeshtra të shpeshta dhe shmangie pyetjesh.
  • Shokë të rinj, sidomos më të mëdhenj ose të panjohur për familjen.
  • Objekte luksi pa burim të qartë: Veshje, celularë, para.
  • Mos kërkimi i mëparshëm i parave, por ende kanë para – nuk është pavarësi, por sinjal alarmi.
  • Tërheqje nga jeta sociale dhe shkolla.

Çfarë mund të bëjnë prindërit:

  • Qëndroni të pranishëm dhe krijoni rutina të përbashkëta familjare.
  • Bëni pyetje, edhe nëse shkaktojnë kundërshtime.
  • Kërkoni ndihmë herët nga mësuesit, punonjësit socialë dhe policia.