EUROPOL godet “Ndrangheta-n” në Itali! 28 të arrestuar, roli kyç i shqiptarëve dhe torturat makabre
Një operacion ndërkombëtar i koordinuar nga EUROPOL ka çuar në goditjen e një rrjeti të fuqishëm kriminal të lidhur me mafian italiane “Ndrangheta”, ku janë arrestuar 28 persona, mes tyre edhe shtetas shqiptarë.
Në qendër të hetimeve është një italian nga Kalabria, i konsideruar si organizatori i trafikut të kokainës në zonën San Basilio të Romës, së bashku me tre djemtë e tij. Grupi kishte bashkëpunim të ngushtë me një organizatë kriminale shqiptare, e cila luante një rol kyç në logjistikën e trafikut ndërkombëtar të drogës.
Sipas EUROPOL, shqiptarët ishin përgjegjës për tërheqjen e ngarkesave nga portet e Spanjës dhe Holandës dhe më pas transportin drejt Italisë. Lënda narkotike shpërndahej në qytete të ndryshme italiane, përfshirë edhe Romën.
Në total, janë dokumentuar 80 episode të trafikimit me mbi 1 ton kokainë dhe 1.5 ton hashash. Për të ruajtur kontrollin brenda organizatës, anëtarët përdornin dhunë ekstreme. Një nga episodet më tronditëse lidhet me rrëmbimin dhe torturimin e një trafikanti droge nga katër anëtarë të mafies, ngjarje e cila u filmua dhe u shpërnda mes anëtarëve për të përhapur frikë dhe bindje absolute.