Europol dhe Eurojust çmontojnë grupin rus të hakerëve NoName057(16) – Në shënjestër infrastruktura evropiane
Një rrjet ndërkombëtar hakerësh pro-rusë, i njohur si NoName057(16), është çmontuar nga autoritetet evropiane në një operacion të përbashkët të Europol dhe Eurojust, pas një hetimi të gjerë që përfshiu 12 vende dhe kulmoi më 15 korrik 2025. Grupi akuzohet për sulme të vazhdueshme kibernetike ndaj Ukrainës dhe infrastrukturës kritike në Evropë, përfshirë faqe qeveritare, rrjete energjetike dhe sisteme transporti.
Sipas njoftimit zyrtar, autoritetet kanë shkatërruar një rrjet botnet që përbëhej nga qindra kompjuterë dhe pajisje të infektuara në mbarë botën, të cilat përdorej nga grupi për të kryer sulme DDoS – sulme që mbingarkojnë faqe interneti apo shërbime digjitale duke i bërë ato të padisponueshme për publikun.
Arrestime dhe urdhër-arreste
Gjatë operacionit u arrestuan dy persona, një në Francë dhe tjetri në Spanjë, ndërsa Gjermania ka lëshuar gjashtë urdhër-arreste ndaj shtetasve rusë të dyshuar si anëtarë aktivë të grupit. Në total janë lëshuar shtatë urdhër-arreste, ndërsa dy nga të dyshuarit konsiderohen si organizatorët kryesorë të NoName057(16), të cilët ndodhen në Federatën Ruse.
Objektiva të ndjeshme në Evropë
Sulmet kibernetike të kryera nga ky grup janë përqendruar ndaj infrastrukturës së ndjeshme: ofruesve të energjisë elektrike, rrjeteve të transportit publik, sistemeve qeveritare dhe bizneseve strategjike.
Vetëm në Gjermani, autoritetet kanë dokumentuar 14 sulme të organizuara, të cilat kanë prekur rreth 230 organizata, përfshirë kompani të industrisë së mbrojtjes. Në disa raste, ndërprerjet kanë zgjatur për ditë të tëra.
Sulme gjatë ngjarjeve madhore
Grupi NoName057(16), që prej shpërthimit të luftës në Ukrainë, ka shprehur mbështetje të hapur për regjimin rus, dhe ka shënjestruar sistematikisht vende që konsiderohen aleate të Kievit.
Sulme të ngjashme janë regjistruar gjatë:
-zgjedhjeve evropiane,
-Samitit të Paqes për Ukrainën në Zvicër (qershor 2024),
-Samitit të NATO-s në Holandë (qershor 2025),
-dhe ndaj faqeve qeveritare e bankave në Suedi.