Europa duhet të shpenzojë rreth 250 miliardë euro në vit, ose 2.5 trilionê euro në dekadë, për investime në mbrojtje për të mbrojtur veten pa mbështetjen e SHBA-së, një shumë që Bashkimi Evropian mund ta përballojë duke pasur parasysh fuqinë e tij ekonomike, sipas një studimi të publikuar sot.
Këto shpenzime, të barabarta me 1.5% të PBB-së së BE-së, do të lejonin Europën të mobilizonte rreth 300,000 ushtarë për t’u mbrojtur kundër Rusisë, sipas studimit të hartuar nga institutet kërkimore Bruegel dhe Instituti Kiel për Ekonominë Botërore.
Studimi thekson nevojën për një koordinim më të ngushtë dhe prokurime të përbashkëta, duke vënë në dukje se pavarësisht nga mjetet financiare të Evropës, koordinimi i mbrojtjes brenda kontinentit mbetet një sfidë e rëndësishme për forcat e armatosura kombëtare.
Administrata amerikane e Presidentit Donald Trump, me lëvizjet e saj, ka trazuar Evropën, me frikën se kontinentit mund t’i duhet të mbrohet pa ndihmën e SHBA.
Studimi propozon rritjen e shpenzimeve evropiane të mbrojtjes deri në 4% të PBB-së në vit, nga 2% që është aktualisht.
Gjysma e kësaj mund të financohet nga borxhi i përbashkët evropian dhe të përdoret për prokurime të përbashkëta, ndërsa pjesa tjetër mund të mbulohet në nivel kombëtar, theksojnë autorët e studimit.
Në të njëjtën kohë, theksohet se Moska ka rritur ndjeshëm aftësitë e saj ushtarake pas luftës në Ukrainë, duke iu referuar mobilizimit të rreth 700 mijë ushtarëve në Ukrainë dhe rritjes së mprehtë të prodhimit të tankeve dhe mjeteve të blinduara.
Studimi kërkonte formimin e 50 brigadave shtesë, nevojën që Evropa të pajisej me 1400 tanke të reja kryesore luftarake dhe 2000 mjete luftarake të këmbësorisë, një numër që do të tejkalonte rezervat aktuale të të gjitha forcave tokësore gjermane, franceze, italiane dhe britanike së bashku.