Euro bie poshtë 104 lekëve, Dollari drejt 90 lekëve, Paundi në nivelin më të ulët historik

Rënia e euros ka prekur një rekord të ri historik ditën e enjte. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 103.6 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kursi Euro-Lek rezulton në rënie me 11.7%.

Në këtë periudhë, kursi i këmbimit po hyn në momentin kur efekti sezonal veror është më i fortë se kurrë, për shkak të pikut të sezonit turistik. Mbështetur në të dhënat e deritanishme dhe në pritshmëritë e operatorëve, pritet që viti 2023 të shënojë një rekord të ri në numrin e turistëve të huaj dhe në prurjet valutore prej turizmit.

Në këtë mënyrë, edhe efekti sezonal këtë vit mund të jetë edhe më i fortë se vitet e mëparshme. Megjithatë, këtë vit rënia e Euros ka nisur shumë herët, qysh prej muajit prill. Në vija të përgjithshme, përmirësimet e bilancit të pagesave në tremujorin e parë të vitit e mbështesin një tendencë mbiçmuese të monedhës vendase. Burimet kryesore të prurjeve valutore që e kanë ngushtuar deficitin e llogarisë korrente janë pikërisht turizmi, përmirësimi i bilancit tregtar të shërbimeve në përgjithësi dhe remitancat.

 

 

Nga ana tjetër, investimet e huaja kanë vijuar të rriten dhe shuma e tyre e tejkalon ndjeshëm vlerë e deficitit të llogarisë korrente. Shifrat e tremujorit të parë treguan një frenim në investimin e shtetasve të huaj në pasuri të paluajtshme, por, megjithatë sipas agjentëve të tregut valutor tremujori i dytë dhe i tretë i vitit kanë sjellë rritje të investimeve nga blerësit e huaj, sidomos në zonat turistike.

Është e qartë që, të paktën për sezonin veror, pritshmëritë e agjentëve të këmbimit ngelen për një forcim të mëtejshëm të Lekut kundrejt Euros. Mbështetur në të dhënat historike, piku i efektit sezonal në kursin e këmbimit arrihet zakonisht në ditët e para të muajit gusht.

Por, mbiçmimi i Lekut këtë vit është i fortë edhe kundrejt valutave të tjera kryesore. Ky mbiçmim po ndikohet pjesërisht nga rënia e kursit të brendshëm të euros, që është monedha e huaj referuese në ekonominë shqiptare dhe pjesërisht nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare.

Forcimi i Lekut në kursin e këmbimit kundrejt valutave të partnerëve kryesorë tregtarë i bën më të lira importet dhe në teori duhet të ndikojë në një ulje të komponentit të importuar të inflacionit. Ky efekt mund të jetë më i prekshëm pas vjeshtës. Forcimi i Lekut po favorizon gjithashtu huamarrësit në Lekë, duke ulur vlerën e kredisë dhe të këstit mujor, të shprehur në monedhën vendase, në të cilën shumica e huamarrësve kanë të ardhurat e tyre.

Por, nga ana tjetër, forcimi i vazhdueshëm i Lekut po dëmton eksportet shqiptare, duke ulur të ardhurat të shprehura në lekë dhe duke i bërë ndërmarrjet shqiptare më pak konkurruese. Rënia e vazhdueshëm e Euros po ul gjithashtu vlerën në Lekë të kursimeve të shqiptarëve, që në pjesën më të madhe mbahen në valutë të huaj.

BURIMI : Monitor