Formë e jashtëzakonshme e lojtarëve kuqezi në prag të dy dueleve të qershorit ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe.
Trajneri Sylvinho ka zgjedhur lojtarët që do ketë të gatshëm për këto sfida, ku bien në sy sulmuesit, që kanë bërë një sezon fantastik me klubet e tyre. Gjashtë lojtarët e gatshëm, konkretisht Myrto Uzuni, Armando Sadiku, Jasir Asani, Ernest Muçi, Sokol Cikalleshi dhe Taulant Seferi kanë shënuar në total 64 gola, me një mesatare të kënaqshme që konfirmon forcën sulmuese në dispozicion të Sylvinhos për duelet vendimtare në rrugën drejt “Euro2024”.
Myrto Uzuni është padyshim ai që bën diferencën. Beratasi fitoi Këpucën e Artë në La Liga 2 me 23 golat e tij, duke qënë lojtari që ka bërë diferencën në këtë edicion. Forma e mirë e Uzunit pritet të jetë edhe me fanellën kuqezi, duke prenotuar ndoshta një vend titullari për këto takime. Përkrah tij, gjasat janë që të vendoset Sokol Cikalleshi. Sulmuesi ka shënuar 10 gola në Arabinë Saudite, për të ndihmuar skuadrën e tij për të mbijetuar në elitë.
Dyshja ka qënë në fushë edhe ndaj Polonisë, ku titullarë e nisi edhe Jasir Asani, që vjen pas 5 realizimeve në elitën e futbollit të Koresë së Jugut. Alternativa të tyre do të jenë emra si Armando Sadiku që shënoi 8 gola në La Ligën 2 me Cartagenën, Taulant Seferi, i cili me 13 golat e tij udhëhoqi Vorsklën drejt kualifikueseve të Conference League dhe Ernest Muçi, që ka shënuar 5 gola në këtë edicion me Legian në Poloni. Formë mjaft e mirë për bomberat e kombëtares, të cilët shpresojmë që të gjejnë rrjetën edhe në takimet e 17 dhe 20 qershorit.