Ermir Dedja u ekzekutua me breshëri kallashnikovi sapo zbriti nga automjeti! Autorët monitoruan lëvizjet, plumbat prekën edhe qendrën shëndetësore
Zbardhen detaje të reja nga atentati mafioz që tronditi qytetin e Durrësit në orët e para të 20 majit 2025, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 29-vjeçari Ermir Dedja, një emër i njohur për policinë shqiptare.
Dedja sapo kishte zbritur nga automjeti i tij kur autorët, ende të paidentifikuar, i zunë pritë dhe e qëlluan me breshëri kallashnikovi. Të gjitha të dhënat e para sugjerojnë se autorët kishin ndjekur dhe monitoruar lëvizjet e viktimës, duke planifikuar me kujdes momentin e ekzekutimit.
Ngjarja ndodhi në lagjen nr. 18 të Durrësit. Pasi u qëllua, Dedja mbeti fillimisht i plagosur. Ishin banorët e zonës ata që i dolën në ndihmë dhe e transportuan me urgjencë drejt spitalit, por fatkeqësisht 29-vjeçari nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.
Po ashtu mësohet se plumbat e kallashnikovit kanë prekur edhe qendrën shëndetësore, që ndodhej pranë vendit të ngjarjes.
Policia ka sekuestruar edhe kamerat e sigurisë të ndodhur në zonë për të hedhur dritë mbi identifikimin dhe më pas kapjen e autorëve.
I riu, me origjinë nga Shijaku dyshohet se ditën e djeshme ka pasur konflikte me disa persona, të cilët i zunë pritë në lagjen ku ai banonte.
Ermir Dedja kishte precedentë penalë në fushën e narkotikëve dhe dhunës me armë. Ai kishte jetuar kohët e fundit në Gjermani, ku dyshohet se ishte i përfshirë në veprimtari kriminale. Një nga pistat kryesore që po heton policia është ajo e një krimi të porositur jashtë vendit, për larje hesapesh.