Vrasja e Emiliano Ramazanit, Erjon Alibej zbulon emrat dhe shumat e përfshira: Ekzekutimin e mora vesh nga një radio policie!

I penduari i drejtësisë, Erjon Alibej ka dhënë dëshmi tronditëse në lidhje me krime të rënda të ndodhura në qytetin e Elbasanit, përfshirë ekzekutimin e Emiliano Ramazanit. Në dëshminë e tij, Alibej ka deklaruar se Ramazani u vra në momentin që kishte fikur makinën, ndërsa autor i krimit ka qenë Henrik Hoxhaj, i cili e ka qëlluar me armë zjarri tip pistoletë TT.

Alibej ka theksuar se kishte një komunikim të mirë dhe të vazhdueshëm me Nuredin Dumanin, për të cilin tha se kishte rolin e drejtuesit dhe që merrte vendimet përfundimtare në këto veprime kriminale. Sipas dëshmisë së tij, për organizimin dhe realizimin e vrasjes së Ramazanit, ai kishte paguar shumën prej 75 mijë eurosh.

“Një radio policie ma dha Mario Çela dhe vrasjen e Ramazanit e mora vesh nga komunikimet në radio. Ndërsa pistoletën e lamë te shtëpia e Bujar Çelës, për t’i përplasur me njëri-tjetrin që të dilte në skenë edhe Talo Çela. Në një diskutim në telefon me Nuredinin, 4-5 ditë pas vrasjes së Ramazanit, më thotë që armën e krimit ta lëmë te Seit Manahasa dhe unë e miratova. Armën e ka vendosur në servisin e Manahasës Kapllani, që u vra në Rrogozhinë, dhe për këtë punë mori 8 mijë euro.

Këtë ia kam treguar Bujar Gërmizit, të cilit i thashë të çojmë Leonard Palushin për të bërë kontrolle. Dhe Bujari e ka takuar Leonard Palushin dhe i ka thënë që “do zbardhësh një ngjarje dhe po të jap një informacion. Di që Palushi ka dërguar policinë, kanë gjetur armën dhe janë bërë edhe arrestimet. Pas vrasjes së Ramazanit, e pyeta Nuredinin si mendon për vrasjen e Regis Runajt dhe, pasi mora miratim, i them Xhuljan Hoxhës: “Vazhdo me vrasjen e Runajt, jo me armë zjarri, por me thikë që të mos bëhej shumë zhurmë. tha Alibej.