“Erion Veliajn e kam takuar me autorizimin e Prokurorisë së Posaçme”, Alban Dokushi del nga SPAK, për çfarë u thirr
Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Tiranë, Alban Dokushi, ka dalë sot nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) pasi u thirr për t’u marrë në pyetje.
Pas daljes, ai deklaroi për mediat se takimi i tij me kryebashkiakun e arrestuar, Erion Veliaj, ishte bërë me autorizimin e SPAK. Sipas burimeve, Dokushi u thirr nga prokurorët për të dhënë dëshmi në lidhje me hetimet ndaj Veliajt.
Dokushi ka qenë personi i parë që e ka vizituar Veliajn në qelitë e paraburgimit tek Blloku i Sigurisë, një ditë pas arrestimit të tij më 10 shkurt. Ai është një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryebashkiakut dhe e ka shoqëruar atë në SPAK kur Veliaj u thirr për t’u marrë në pyetje, përpara se të arrestohej.
Gjatë vizitës në paraburgim, Dokushi është parë duke mbajtur disa dokumente dhe librin “The Black Swan” të Nassim Nicholas Taleb, një vepër që analizon ndikimin e ngjarjeve të papritura dhe të paparashikueshme.
Ndërkohë, hetimet ndaj Veliajt vijojnë, ndërsa SPAK pritet të zbardhë më shumë detaje lidhur me rolin e Dokushit në këtë çështje.