Përtej akuzave që mund të jenë ngritur për të nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar; një gjë është e sigurtë…Erion Veliaj është një nga politikanët me më me shumë ndikim në vendin tonë në 35 vitet e fundit. Por ai që projektohej si “kryeministri në hije” tashmë është vendosur në pranga nga ata që i cilësonte kolegë. Për djalin e lindur në Tiranë, më 17 dhjetor 1979, si dhe të diplomuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e në Mbretërinë e Bashkuar, ngjitja në shkallët e politikës nuk do të ishte e lehtë, por ai ia doli. Ia doli vetëm për të shënuar rrëzimin më të madh ndonjëherë; me pranga në duar!
Ngjitja…deri në majë!
Ishte viti 2003 kur Veliaj vendosi që të kthehej në Shqipëri. Pasi përfundoi studimet në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe University of Sussex, në Britani; Veliaj vendosi të rikthehej! Në një kohë kur në Shqipëri e gjithë “loja” politike luhej rreth kryedemokratit Sali Berisha dhe kryesocialistit Fatos Nano, Veliaj vendosi që t’u thoshte që të dyve: Mjaft!
Ai themeloi lëvizjen “Mjaft”, me të cilën organizoi protesta dhe tërhoqi vëmendje mbi çështje kyçe, duke nxitur pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset vendimmarrëse. Organizata veproi deri më nëntor të vitit 2007. Më pas ai iu bashkua Iniciativës për Stabilitetin Evropian, një organizëm kyç në promovimin e zgjerimit të BE-së. Ndërsa në vitin 2009, themeloi partinë “G99”. Por për aq sa ishte në krye të “Mjaftit” protestoi për çdo gjë, që nga mungesa e ujit, tek reformat qeveritare, mbetjet, madje tubuan edhe për kundër zonjës së parë të ish-kryeministrit Fatos Nano, Xhoana Nanos.
Më 31 janar 2009, Veliaj ngjiti një tjetër shkallë. 6 muaj pas krijimit, vendosi që garonte në zgjedhjet parlamentare.
“G99 duhet të marrë këtë investim juridik, duhet sot të regjistrohet pranë institucioneve të drejtësisë që të ketë mundësi të garojë, pra është diçka që e mundëson. Ajo çfarë nuk do të ndryshojë janë gjërat e mira të G99-tës. Absolutisht nuk do të ndryshojë asgjë në mënyrën sesi ne organizohemi, në mënyrë vullnetare se si ne grupohemi. Unë jam aq krenar sot sa përfaqësoj një grup politik, i cili mban veten e vet financiarisht, ku secili njeri paguan kuotën e vet dhe është aksioner qoftë edhe financiare e ndryshimit,”-thoshte Veliaj asokohe.
Kërkoi shumë por zhgënjeu. Edhe pse në koalicion me Partinë Socialiste duke formuar bashkë koalicionin “Bashkimi për Ndryshim”, G99 nuk mori asnjë mandat në parlament, madje nuk kaloi as pragun elektoral të votave duke marrë vetëm 0.86%. Shifër që i përplasi realitetin në fytyrë! Në këto kushte, në vitin 2011, Veliaj u bë pjesë e kryesisë së Partisë Socialiste të Shqipërisë si Sekretar për Rininë dhe Emigracionin. Në këtë post pati mundësinë që të tregonte devotshmërinë ndaj liderit socialist, derisa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 ai u zgjodh deputet i Qarkut Gjirokastër, diçka që nuk do t’ja kishte dalë kurrë i vetëm. Madje, arriti edhe të bëhej edhe pjesë e kabinetit duke marrë postin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Gabimet nuk harrohen!
Ndoshta Veliaj e kishte fituar vërtet zemrën e kryeministrit Edi Rama, e cila i solli edhe postin e kryebashkiakut të Tiranës, por me publikun ka qenë gjithmonë në luftë! “Shëkëndijen” e parë e dha në artikullin e botuar në gazetën e majtë amerikane Huffington Post më 26 qershor 2007 pas mbërritjes së presidentit George Bush në Shqipëri. Deri më tani i pari dhe i vetmi president në detyrë që ka vizituar vendin tonë.
“Në kohën kur popullariteti i Presidentit amerikan është në pikën më të ulët në SHBA dhe kur vizitat e tij përballen me protesta, fshatarët tanë shumica myslimanë, zbritën në rrugë me flamuj amerikanë, dhe u rreshtuan për ta mbushur atë me lëvdata,”-shkruante Veliaj për “Huffington Post”, më 26 qershor 2007.
Por nëse ka bërë ndonjëherë autogol në jetën e tij politike, Veliaj e ka bërë me Griseldën! Veliaj u bë zëri i një historie “të rrejshme” rrëmbimi. Fabula kishte këto pika kyçe: grua, shtatzanë dhe bashkëshortja e një personazhi të njohur…mjaftueshëm elemente për ta bërë ngjarjen virale. Synimi ishte që të akuzonin kryeministrin asokohe Sali Berishën. Asokohe anëtari i Asamblesë së PS-së, Erion Veliaj, e denoncoi publikisht rastin duke iu dërguar edhe një letër ambasadorëve lidhur me ngjarjen. Veliaj e përshkruante në anglisht ngjarjen me nota politike dhe duke përmendur edhe kërcënimet gjatë fushatës për kandidatin e PS në Kavajë.
Cila ishte fabula?
“Rreth orës 10:00-11:00, Griselda Zaimi u paraqit në Policinë e Tiranës së bashku me Sajmir Roshin, i identifikuar në polici si kunati i 28-vjeçares. Aty Griselda rrëfeu 7 orët e saj të tmerrit duke treguar me detaje se një natë më parë, më 31 maj 2011, rreth orës 19:00 ishte rrëmbyer nga disa persona në një makinë me xhama të zinj. Më pas po këta persona e kishin rrahur dhe e kishin çuar në një ambient ku ajo kishte lindur fëmijën dhe ia kishin marrë. Pasi e kishin rrahur Griselda pretendoi se pas kësaj autorët e krimit e kishin hedhur në një kanal pranë banesës së bashkëshortit të saj.”
Përfundimi; asgjë nuk ishte e vërtetë!
Ngjarja u harrua, por për ata që kanë kujtesë politike, kjo ka qenë gafa më e madhe politike që ka bërë Veliaj.
Por nëse çështjen e Kavajës e harrojnë, një gjë do të mbetet përgjithmonë në kujdesë: shpenzimet e martesës me Ajola Xoxën! Shpenzimet e martesës së Veliajt me Ajola Xoxën në kalanë e Gjirokastrës në shtator 2014 bënë bujë, madje zërat u shtuan pasi socialisti u shpreh se për dasmën në kala kishte paguar e ëma e tij, me kursimet e pensionit.
Vetë Veliaj pretendonte se dasma nuk ka pasur shpenzime luksi, por gjithçka ishte paguar nga kursimet e nënës së tij dhe prindërit e nuses.
“Partia Demokratike shqetësohet për çdo gjë që s’ka lidhje me punën. Për pensione, për rroga, për punësim nuk shqetësohet. Për dasma dhe fustane shqetësohet. Mënyra se si funksionon është që, me të mbaruar dasma, mbahen faturat dhe ka një periudhë. Me të paguar faturat e dasmës, shkohet në ILDKP dhe, ajo që kemi bërë, është se për këto shpenzime modeste ishte mamaja ime, e cila kishte kursyer tërë jetën. Po ashtu dhe prindërit e Ajolës, të cilët organizuan dasmën në Pezë. A nuk bën kështu çdo familje shqiptare?! A nuk ndodh kështu?! Unë them se të gjitha produktet ishin vendase, pasi unë nuk kursehem që të bëj reklamë”, tha Veliaj. Ai shtoi më tej se për çdo shpenzim të bërë gjatë dasmës do të bëjë deklarimin sipas ligjit në Inspektoratin e Deklarimit të Pasurive. “Ishte dasma e vajzës ajo në Pezë. Do i deklaroj të gjitha në ILDKP dhe, sapo të jemi likuiduar me kompanitë, do i deklarojmë. Por mund të them se asnjë prej dasmave nuk shkoi më shumë se 9 milionë lekë,”-thoshte Veliaj.
1 vit pas dasmës së tij, Veliaj garoi për bashkinë e Tiranës përballë doktorit (ndoshta më të njohur shqiptar) Halim Kosova. Mandati i tij i parë u shoqërua nga protestat e shoqërisë civile kundër ndërtimit të këndit të lojërave te kodrat e liqenit artificial, pore dhe me dritë-hijet e vdekjes së 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj. Por ngjarje më e rëndë i ndodhi gjatë mandatit të dytë, pasi Veliaj me firmën dhe vulën e tij shembi Teatrin Kombëtar. Akti i fundit i shembjeve që atë mandat kishin nisur që nga Astiri, tek “5 maji”, e kudo në Tiranë.
Pikërisht këto shembje duket se nuk kanë qenë aq të “pafajshme”! SPAK thotë se Veliaj dhe Xoxa merrnin para nga biznesmenë për të dhënë leje ndërtimi dhe fonde publike. Këto veprimet në kundërshtim me ligjin e kanë vendosur Veliajn pas hekurave duke shënuar një nga rrënimet më të bujshme të një politikani!
Ky pra ishte Erion Veliaj, i riu që erdhi për të luftuar sistemin, por që shumë shpejt u bë pjesë e tij, duke harruar se në Shqipëri ka një cikël; Sa më lart të ngjitesh, aq më fort bie! Ky është sistemi, kështu ka qenë…mbase kështu do të jetë. Gabimi i Veliajt ishte që nuk tha dot “Mjaft!”./ZËRI