Erion Braçe: Shqipëria e ekspozuar ndaj ndërhyrjeve të huaja, përgjigja duhet të jetë efektive dhe në kohë
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, në një fjalë të mbajtur sot në Kuvend gjatë diskutimit për projektligjin “Për strategjinë kundër ndërhyrjeve të huaja”, ngriti shqetësimin për rrezikun në rritje që i kanoset Shqipërisë nga ndikimet e jashtme.
Ai theksoi se vendi ynë, si një shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe anëtar i NATO-s, nuk është imun ndaj këtyre kërcënimeve moderne.
“Shqipëria nuk është e paprekshme ndaj formave të reja të ndërhyrjes. Përkundrazi, pozicioni ynë gjeopolitik, tranzicioni i gjatë institucional dhe mbi të gjitha linjizmi i qëndrimeve të Kuvendit dhe shoqërisë shqiptare në tërësi me vendimet e BE-së dhe NATO-s na bëjnë të ekspozuar ndaj këtyre rreziqeve, të cilat jo vetëm janë prezentë, por po shtohen”, tha Braçe.
Deputeti socialist kërkoi një përgjigje të qartë dhe efektive ndaj këtyre kërcënimeve, duke theksuar nevojën për ndërhyrje në kohë dhe krijimin e mekanizmave institucionalë që mbrojnë integritetin demokratik dhe sovranitetin kombëtar.