Erion Braçe shpallet deputeti me nivelin më të lartë të efikasitetit në parlament për vitin 2024 si përfaqësues i Divjakës dhe Lushnjes në qarkun Fier
Raporti i Institutit për Studimet Politike rendit edhe deputetët më efikasë gjatë periudhës janar-gusht 2024, referuar punës së tyre për nismat ligjore, për propozimet individuale ligjore, për pjesëmarrjen aktive në debatet në komisionet parlamentare dhe në seancat plenare, për interpelancat dhe pyetjet adresuar institucioneve, për angazhimin në publik dhe zonë elektorale, për pjesëmarrje në votimin parlamentar.
Sipas raportit, deputetët më efektivë vijuan të jenë pothuajse të njëjtët si në sesionet e mëparshme parlamentare: Erion Braçe (PS), Jorida Tabaku (PD), Ina Zhupa (PD), Bujar Leskaj (PD), Petrit Vasili (PL), Klotilda Bushka (PS), Tritan Shehu (PD), etj. Deputetët e PSD vijojnë me rekorde negative (nën 13%) në fund të renditjes, kurse partitë e tjera kanë kuota nën 30%.
Numri maksimal i pikëve me të cilat vlerësohen deputetët nga Instituti për Studimet Politike është 100 pikë. Në krye të listës qëndron Braçe, Zhupa dhe Tabaku me nga 77 pikë.
Në raport thuhet se lista e deputetëve më pak efikasë “kryesohet pothuajse nga të njëjtit deputetë si edhe në sesionet e kaluara parlamentare, kryesisht deputetë – biznesmenë që sigurojnë mandate personale në zona të ndryshme, deputetët e PSD dhe deputetë të tjerë me të dhëna specifike, përfshirë edhe figura të njohura politike që vijojnë të injorojnë detyrimet dhe përgjegjësitë parlamentare.”
Agron Çela i PS, Gledis Çeliku i PSD, Gertjan Deda i PSD, Niko Kuri PS/MEGA, Orlando Rakipi i PS, Shkëlqim Bullari i PS dhe Tatiana Piro e PS janë 7 deputetët që kryesojnë listën e 7ligjvënësve me efikasitetin më të ulët në Kuvend. Të cilët janë vlerësuar me më pak se 19 pikë nga Instituti i Studimeve Politike. Nga lista përjashtohet ish-kryeministri Sali Berisha, i cili nuk merr pjesë në seancat plenare për shkak se ndodhet në arrest shtëpie.
Deputetët me ‘0’ angazhime në Kuvend, në komisione e seanca plenare
Krahas listës me nivelin më të ulët të efikasitetit, Instituti i Studimeve Politike ka renditur edhe deputetët me zero angazhime në Kuvend, të cilët nuk kanë marrë pjesë as në sennca plenare e as në mbledhjet e komisioneve parlamentare. Listës sërish e kryeson gjashtëshja e deputetëve që ishin renditur edhe me nivelin e efikasitetit më ulët. Konkretisht, Agron Çela i PS, Gledis Çeliku i PSD, Gertjan Deda i PSD, Niko Kuri PS/MEGA, Shkëlqim Bullari i PS dhe Tatiana Piro e PS.
“Në vlerësimin e përgjithshëm gratë deputete patën mesatare prej 37% të efikasitetit parlamentar ndaj vetëm 33% të gjinisë tjetër. Vlerësimi nuk përfshin cilësinë e angazhimit, e cila mbetet kritike për dy gjinitë, por nivelin e përgjithshëm të angazhimit në ushtrimin e funksioneve dhe përgjegjësive parlamentare“, thuhet në raportin e Institutit për Studimet Politike. Po ashtu në raport theksohet se “Kuvendi nuk arriti të përmbushë detyrimin kushtetues dhe ligjor për zgjedhjen e më shumëse 15 funksionarëve të lartë, përfshirë zgjedhjen e Avokatit të Popullit (nga 2022) apo Komisionerit kundër Diskriminimit (nga 2023), anëtarëve në KLGJ, KLP, ISSK, KPP, KDRTSH, etj.”