Erdhi në Shqipëri pas 35 vitesh, ndërron jetë në hotel, ish-ambasadori gjerman Werner Daum
Ndahet nga jeta ish-ambasadori gjerman në Shqipëri Werner Daum, i cili përjetoi nga afër ngjarjet e mëdha politike të rrëzimit të diktaturës komuniste në vendin tonë, ku risolli në kujtesë më dëshmitë e tij të rralla ngjarjet që sollën fillimin e fundit të regjimit komunist.
Ish-ambasadori gjerman në Shqipëri, Werner Daum, ka ndërruar jetë në Shqipëri, vendin që e kishte në zemër dhe që e deshi thellësisht. Diplomati gjerman u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare, ndërsa ndodhej në vendin tonë prej disa ditësh. Ai u gjet i pajetë në dhomën e tij të hotelit, ndërsa kishte marrë pjesë pak ditë më parë në ceremoninë e inaugurimit të shtatores së dëshmorit të demokracisë, Josif Budo.
Werner Daum shërbeu si ambasador i Gjermanisë në Tiranë nga viti 1987 deri në 1990, në një periudhë vendimtare për të ardhmen e vendit. Gjatë kësaj kohe, ai tregoi një guxim të jashtëzakonshëm, duke hapur dyert e ambasadës gjermane për shqiptarët që kërkonin arratisjen nga regjimi komunist, një veprim që e bëri në kundërshtim të plotë me udhëzimet zyrtare të qeverisë së tij.
NJOFTIMI I POLICISE:
Golem, Kavajë / Informacion paraprak
Rreth orës 12:30, në Golem, në një dhomë hoteli, është gjetur pa shenja jete shtetasi W. D, 82 vjeç (ish-ambasadori gjerman).
Nga këqyrja paraprake, nuk janë konstatuar shenja dhune. Dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.