“Energjia, tre herë më e lirë se në Greqi”, Rama u përgjigjet komentuesit: E ulëm çmimin me 10.5%/kWh dhe prapë fjala e keqe fluturon

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave për uljen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë, duke theksuar se Shqipëria ka energjinë më të lirë në rajon. Gjatë një interaktive në rubrikën “Sy m’sy” në Facebook, Rama iu përgjigj një ndjekësi, i cili e kritikoi qeverinë për uljen e çmimit të energjisë me vetëm 1 lekë për kilovat, duke e quajtur këtë masë si një tallje me qytetarët.

Rama sqaroi se ulja e çmimit të energjisë është rezultat i reformave të thella në sektor dhe investimeve të shumta të realizuara vitet e fundit. Ai gjithashtu bëri krahasime me çmimet e energjisë në vendet e tjera të Bashkimit Europian, duke vënë në dukje se Shqipëria ka një çmim më të ulët për kilovat se Greqia, Italia dhe Gjermania. “Shqipëria bie në 8.3 lekë, Greqia 22 lekë/kWh, Italia 33 lekë/kWh dhe Gjermania 40 lekë/kWh. Madje edhe Hungaria, që ka çmimin më të ulët, është rreth 20% më e shtrenjtë se ne”, tha Rama.

Ai u përgjigj edhe një komentuesi tjetër, që shprehte dyshime se 700 kWh janë shumë pak për një familje. Rama theksoi se mbi 1 milion konsumatorë përfitojnë nga kjo masë, ndërsa ata që konsumojnë më shumë se 700 kWh janë një grup më i vogël dhe do të paguajnë më shumë. Kryeministri theksoi se politikën e çmimeve e udhëheq një qasje e drejtë, ku ata që fitojnë më shumë paguajnë më shumë.

Rama mbylli duke thënë se kritikat ndaj uljes së çmimit të energjisë janë të pabazuara, pasi ajo është pjesë e një reforme të suksesshme që ka sjellë përfitime për qytetarët.