Ëndrrat nuk zgjasin përgjithmonë, eliminohet Shqipëria
Ëndrrat nuk zgjasin përgjithmonë dhe për kombëtaren shqiptare e tillë do të mbetet edhe ajo në Kampionatin Europian. Vetëm 270 minuta qëndroi në mendjen dhe zemrën e të gjithë shqiptarëve, pasi aventura në Gjermani përfundoi vetëm me 3 takime të grupit. Kuqezinjtë e Sylvinho ishin shumë pranë mrekullisë, por ashtu si 8 vite më parë nuk ia dolën dot. Humbja 1-0 përballë Spanjës ndërpreu në mes dëshirën për të qënë sërish pjesë e kompeticionit ndërkombëtar.
Në Dyseldorf u luajt një takim me raste nga të dy skuadrat, por ishin iberikët ata që gjetën fundin e rrjetës që në pjesën e parë. Ishte Ferran Torres që në minutën e 13-të përfitoi nga pozicionimi i Mitaj dhe në limitet e pozicionit jashtë loje arriti të shënojë. Avantazh i menaxhuar siç duhet nga skuadra e Luis de la Fuente, që e mbylli pjesën e parë me rezultatin 1-0. Në fraksionin e dytë të lojës, Sylvinho aktivizoi artilerinë e rëndë të sulmit, mes të cilëve, Broja, Hoxha, Muçi edhe talentin Berisha. Por pavarësisht shanseve për t’i ndryshuar kah rezultatit nuk arritën që të shënonin, duke u eliminuar kështu nga Europian me një bilanc prej 2 humbjesh dhe 1 barazim.