Personi në foto është 36-vjeçari që u arrestua nga policia e Lezhës, pasi gjatë një kontrolli iu gjet në makinë një armë zjarri.
Blutë njoftuan se në momentin e arrestimit, 36-vjeçari i identifikuar si Xhon Sari, banues në Pogradec, kishte në armën e tij një plumb në fole gati për qitje.
Më tej, nga kontrollet në një automjet tip “Golf”, në rrugën “Fran Ivanaj”, Shëngjin, gjithashtu në pronësi të këtij shtetasi, u gjetën 18 fishekë të tjerë.
Njoftimi:
Shëngjin, Lezhë/Goditje të njëpasnjëshme armëmbajtjes pa leje, në vijim të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Kalibri”, nga Forca e Posaçme “Shqiponja” e DVP Lezhë.
Sekuestrohen arma e zjarrit, municion luftarak dhe 2 automjete të këtij shtetasi.
Si rezultat i kontrolleve në të gjithë territorin e qarkut dhe i punës së inteligjencës policore, që po kryhen në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Lezhë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Kalibri”.