Emri/ U paraqit në ASHK si prokuror i SPAK-ut, për të marrë aktet origjinale të dosjeve, vihet në pranga 48-vjeçari

U paraqit në ASHK Berat dhe Skrapar, si prokuror i SPAK-ut, me qëllim marrjen e akteve origjinale të dosjeve që Prokuroria e Beratit kishte në hetim, vihet në pranga 48-vjeçari.

Nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas iu merrte para qytetarëve të ndryshëm, duke i mashtruar se ishte prokuror në SPAK.

48-vjeçari është dënuar më parë për veprat penale “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore” dhe “Mashtrimi”, pasi ka mashtruar disa shtetas duke u prezantuar si funksionar publik.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas informacioneve të marra se një shtetas përvetësonte shuma parash, nëpërmjet mashtrimit, organizuan punën në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për arrestimin e këtij shtetasi dhe dokumentimin e rasteve. Si rezultat i veprimeve hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

Alban Muço, 48 vjeç banues në Tiranë, për veprat penale “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore” dhe “Mashtrimi”.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ka përfituar shuma parash nga disa qytetarë, duke i mashtruar se ishte prokuror në SPAK dhe do të ndërhynte për zgjidhjen e çështjeve të tyre. Gjithashtu, ky shtetas është prezantuar me të njëjtën detyrë, pranë ASHK Berat dhe Skrapar, dhe ka kërkuar dosje specifike të çështjeve që ishin në hetim nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.

Po hetohet qëllimi i kërkimit të këtij dokumentacioni nga shtetasi A. M., në mënyrë që të bëhet dokumentimi i plotë i rastit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.

Check Also

“Jam më i gjati, por përfaqësoj një vend të vogël”, Rama batuta me gazetarët: Europa po bëhet më e vjetër!

Kryeministri Edi Rama ka komentuar zgjedhjet në SHBA dhe krizën politike në Gjermani gjatë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *