Emri/ Tentoi të trafikonte 10 piktura me vlerë 25 mijë euro nga Porti i Durrësit, arrestohet 37-vjeçari! Dy bashkëpunëtorë shpallen në kërkim
Një 37-vjeçar është arrestuar në Portin e Durrësit pasi u kap duke tentuar të trafikonte 10 piktura me vlerë rreth 25 mijë euro.
I ndaluari është Kasem Qato, i cili po udhëtonte me një furgon ku u gjetën veprat e artit të padeklaruara dhe pa dokumentacion përkatës. Dy persona të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë të tij, Q. H., 25 vjeç, dhe G. N., 53 vjeç, janë shpallur në kërkim nga policia.
Njoftimi i policisë
Policia Kufitare godet një rast të tentativës për trafikim të veprave të artit.
Arrestohet në flagrancë drejtuesi i furgonit ku u gjetën pikturat.
Në vijim të punës së bazuar në analizën e riskut, të kryer nga Policia Kufitare e PKK Port Durrës, në hyrje/dalje të vendit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi, në dalje të Shqipërisë, është kaluar në vijë të dytë, për kontroll të detajuar, furgoni me drejtues shtetasin Kasem Qato.
Nga kontrollet në këtë mjet, janë gjetur 10 vepra arti (piktura), të padeklaruara, për të cilat ky shtetas nuk dispononte asnjë dokument që vërtetonte origjinën e tyre apo pronësinë mbi to.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u arrestua në flagrancë shtetasi K. Q., 37 vjeç, banues në Elbasan.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”, kryer në bashkëpunim.