EMRI/ Tentoi të fuste 22 celularë dhe drogë në burgun e Fushë-Krujës, bie në pranga gardiani! Do përfundonin në duart e bosëve të krimit

Një gardian i burgut të sigurisë së lartë në Fushë-Krujë, Hidër Çali, është arrestuar në flagrancë pasi tentoi të fusë në qelitë e të dënuarve sende të ndaluara. Policia dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve (SHKBB) sekuestruan një sasi të konsiderueshme mallrash të paligjshme, që përfshinin:

• 22 celularë me aksesorët përkatës (karikues, kufje)
• 3 doza kokainë
• 30 koka përshtatëse karikuesi nga Android në iPhone

Sipas burimeve zyrtare, Hidër Çali, gjatë ndërrimit të shërbimit, ka hedhur një qese të zezë me peshë rreth 6 kg në tarracën e regjimit të jashtëm, pranë depos së armatimit dhe depozitës së gazit. Synimi i tij ishte t’i kalonte më pas në regjimin e brendshëm për t’i dorëzuar të dënuarve.

Menjëherë pas konstatimit, forcat e sigurisë rrethuan zonën dhe nisën hetimet, duke parandaluar futjen e sendeve të ndaluara në burg. Pas arrestimit të Çalit, autoritetet po punojnë për të zbardhur tërësisht ngjarjen dhe për të identifikuar të përfshirë të tjerë të mundshëm.

Gardiani është akuzuar për veprat penale “Futja e sendeve të ndaluara në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike në bashkëpunim”.