EMRI/ Plagosi të riun në Durrës, arrestohet 38-vjeçari – në banesë i gjenden thika dhe pajisje për kriptomonedha

Një plagosje e rëndë me thikë është regjistruar ditën e diel në lagjen nr.13 në Durrës, në zonën e njohur si “Baza e Hekurudhave”.

21-vjeçari është dërguar me urgjencë në spital, ndërsa policia ka mundur të identifikojë dhe arrestojë autorin e dyshuar në kohë rekord. Gjatë kontrollit në banesën e tij janë gjetur dhe sekuestruar pajisje të dyshuara për prodhimin e kriptomonedhave, si dhe është konstatuar një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.

Njoftimi i policisë:

Zbardhet në kohë rekord plagosja e rëndë me thikë e 21-vjeçarit, e ndodhur dje në lagjen nr.13.

Policia, në kuadër të operacionit “Baza”, identifikon, kap dhe vë në pranga autorin e dyshuar të plagosjes, si dhe sekuestron armën e krimit.

Gjatë operacionit, autorit të dyshuar i janë gjetur në banesë pajisje që dyshohet se shërbenin për prodhimin e kriptomonedhave.

Strukturat e Komisariatit të Policisë Durrës, me marrjen e njoftimit se në Spitalin Rajonal Durrës ishte paraqitur një shtetas i plagosur rëndë me mjet prerës, organizuan menjëherë punën për zbardhjen e ngjarjes. Në kuadër të operacionit “Baza”, u bë e mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasit E. P., 38 vjeç, i cili dyshohet se në vendin e quajtur “Baza e Hekurudhave” plagosi me thikë shtetasin L. I., 21 vjeç.

Gjatë kontrollit në banesën e autorit të dyshuar u gjetën thika me të cilën dyshohet se është kryer krimi, pajisje që shërbenin për prodhimin e kriptomonedhave, si dhe një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.

Në përfundim të veprimeve, E. P. u arrestua në flagrancë për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Durrësit për veprime të mëtejshme.