EMRI/ Plagosi me thikë adoleshentin në gjimnaz, arrestohet 18-vjeçari!

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në shkollën e mesme të fshatit Baz, në Mat, ku një 18-vjeçar ka plagosur me thikë një nxënës 17-vjeçar. Policia e Matit ka arrestuar autorin e dyshuar, Donald Lepuri, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Sipas të dhënave, ngjarja ka ndodhur më 13 shkurt, në ambientin sportiv të shkollës, pas një konflikti të çastit mes dy të rinjve, për motive ende të paqarta. Pas plagosjes, 17-vjeçari Alban Gjonaj u transportua me helikopter në spitalin e Traumës në Tiranë. Burime nga spitali bëjnë me dije se gjendja e tij është e qëndrueshme dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, burime të tjera raportojnë se në shkollën e mesme të bashkuar “Gjergj Kastrioti” në Baz, ku ndjekin mësimin 96 nxënës, mungojnë oficerët e sigurisë dhe psikologët, të cilët janë thelbësorë për parandalimin e ngjarjeve të tilla.

Policia e Matit ka kryer hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë e Dibrës, duke arrestuar 18-vjeçarin në flagrancë. Autoritetet vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.